Saimir Tahiri vs SPAK, përballja tani në Gjykatën e Lartë
Avokatët e ish-ministrit Saimir Tahiri dhe ish-drejtorit të policisë së Vlorës Jaeld Çela kanë dorëzuar rekurs në gjykatën e lartë ku kërkojnë pafajësi për klientët e tyre.
Pak ditë pasi prokuroria e posaçme Spak dorëzoi ankimin kundër vendimit të apelit që dënoi ish ministrin me 3 vjet e 4 muaj burg, edhe avokatët duket se janë vënë në lëvizje.
Ata kërkojnë pafajësi në Gjykatën e Lartë, me argumentin se prokuroria nuk ka arritur të provojë asnjë nga akuzat e ngritura.
Sipas avokatëve, Tahiri dhe Çela duhet të shpallen të pafajshëm dhe gjykata duhet të rrëzojë si pretendimet e prokurorisë për trafikim droge e grup kriminal, ashtu edhe akuzën për shpërdorim detyre.
Organi i akuzës ka kërkuar ndërkohë rikthimin e çështjes në apel me argumentin se Saimir Tahiri ka qenë pjesë e grupit kriminal të vëllezërve Habilaj dhe ka bashkëpunuar me ta në trafikimin e drogës.
