Trefishohet fatura e energjisë, ekspertët: Vendosja e fashës nuk do të ketë rezultat, prek 4% të abonentëve

Trefish më e lartë pritet të jetë fatura e energjisë për abonentët që harxhojnë më tepër se 700 kw. Ekspertët thonë se rikthimi i fashave nuk do të sjellë rezultate pasi prek vetëm 4% të numrit të përgjithshëm të abonentëve.

Vendosja e fashës së konsumit prej 700 kwh mund të trefishojë çmimin e energjisë elektrike për ato familje që harxhojnë përtej këtij limiti.

Fatura pritet të jetë e shtrenjtë dhe vështirë e përballueshme veçanërisht gjatë muajve të dimrit.

"Mund t'i referohemi 3 muajve të fundit kur si referencë mund të marrim atë që është çmimi i përcaktuar për furnizuesin e mundësisë së fundit. Në fakt, relativisht pra ka respektuar gjithmonë atë që është çmimi i bursës referente për rajonin tonë, bursës së Hungarisë. Këtyre konsumatorëve për këtë pjesë mbi 700 KwH do duhet të përballojnë një çmim të trefishuar", tha Gordani.

Lorenc Gordani, ekspert për çështjet e energjisë thotë se plani i qeverisë nuk pritet të sjellë ndryshim në konsumin e energjisë për aq kohë sa vendosja e fashës prek vetëm 4% të numrit total të abonentëve.

"Është edhe një masë e pjesshme dhe jo rezultative sepse në finale nuk do sjellë ndodnjë ndryshim të qenësishëm në tërësinë e konsumit të energjisë", tha Gordani.

Gordani thotë se për këtë kategori duhet të ofrohen alternativa të tjera të furnizimit me energji teksa sheh me shqetësim procedurën e ndjekur nga Ministria që në këtë rast shmang Entin Rregullator të Energjisë.

"Diçka e tillë do duhet të vinte nëpërmjet Entit Rregullator të Energjisë i cili ka dhe instrumentet e konsultimit me grupet e interesit. Me këtë ndërhyrje të qeverisë kemi një regres përsa i përket atyre aspekteve që lidhen me zhvillimin e planit  strategjik të hapjes së sektorit të energjisë", tha ai.

Aktualisht çdo abonent familjar e paguan 1 kilowatt energji elektrike me 9.5 lekë pa TVSH ndërsa nuk dihet ende se sa do të jetë çmimi mbi fashën 700 kilowatt.