Raporti i 'Freedom House', Baçi: Rrezikojmë që qeveria të përcaktojë se kush do jetë biznesmen ose jo
Sipas raportit më të fundit të organizatës “Freedom House” për Vendet në Tranzicion, Shqipëria nuk ka pësuar asnjë ndryshim në pikë, krahasuar me një vit më parë, në të shtatë kriteret ku e bazon vlerësimin e saj kjo organizatë.
Në lidhje me këtë publicisti Agim Baçi, në një intervistë për Ora News, është shprehur se tre pikat më shqetësuese që paraqiten në raport janë kultura e mos ndëshkimit të zyrtarëve të larte, mosfunksionimi i drejtësisë dhe pushteti i jashtëzakonshëm që kërkon të ketë qeveria mbi mediat.
Ndër të tjera ai tha se në vendin ekziston rreziku që qeveria të përcaktojë kush të jetë biznesmenë e kush jo.
Agim Baçi: Kultura e mosndëshkimit të zyrtarëve të lartë, të atyre që akuzohen për korrupsion, mosfunksionimi i drejtësisë, pushteti i jashtëzakonshëm që kërkon të ketë qeveria mbi mediat, janë tre pika që përbëjnë edhe evidencat më të mëdha që ka “Fredoom House", për Shqipërinë. Kemi një qeveri që në llogaridhënie është në pikën zero, sepse vetëm llogari nuk jep, dhe mungon transparenca. Ajo që është ndëshkuar është konkurrenca e lirë. Kemi rrezikun sot që qeveria mund të përcaktojë se kush do jetë biznesmenë ose jo. Kjo është frika e këtij sistemi.
Sipas “Freedom House”, media në Shqipëri është pjesërisht e pavarur dhe ofron njëfarë niveli vëzhgimi të kujdesshëm të punës së atyre që kanë poste publike.
Në lidhje me këtë pikë të raportit, Baçi tha se televizionet sot e kanë të vështirë të shkojnë në zyrat opozitare që të marrin informacion.
Agim Baçi: Mendoj se të gjithë televizionet sot e kanë të vështirë të shkojnë në zyrat qeveritare dhe të marrin informacion, gjithçka bëhet në distancë. Çfarë e ka penguar SPAK të hetojë Bashkinë e Tiranës në lidhje me shembjet e Teatrit. Kultura e mosndëshkimit krijon këtë lloj arrogance.
Opozita përsa kohë nuk distancohet nga ajo që ka bërë keq dikur, pa u distancuar nga pushteti që ka pasur dhe dëshiron që ta ketë ende, nuk besoj se do të arrijë të ndërtojë alternativën e fortë përballë Ramës.
