Balla pas takimit me Mediun dhe Dodën: Kam besim se do të zgjedhim një President me mbi 3/5

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, është optimist se Presidenti i ri do të jetë fryt i një konsensusi të gjerë edhe me opozitën.

Balla: Nëse Konferenca e Kryetarëve zhvillohet me 6 maj i bie që në 11-12 maj të kemi raundin e parë. Jam shpresëplotë që ne mund të zgjedhim një President apo Presidente me shumicë përtej 3/5. Ka plot personalitete në Shqipëri që mund të marrin përtej kësaj shumice që garantohen zgjedhjen në raund të parë. Në 24 maj procesi duhet të ketë filluar. Nëse do kemi mundësi që kur të shkojmë te kriteret dhe pastaj te emrat të gjejmë kandidaturën që gëzon mbështetjen edhe të mazhorancës dhe të opozitës kjo është gjëja më e mirë që ne mund të japim, duam një President për gjithë shqiptarët.

Megjithatë ai theksoi se kjo nuk varet nga PS. 

Balla: Edhe Rama ishte i qartë dje kur tha se duam të shkojmë  te një kandidaturë që të ketë sa më shumë mbështetje. Duam të ecim me një President konsensual. Se sa do t'ia arrijmë kjo nuk varet nga ne.

E ndërsa në media ka qarkulluar lajmi se Mimi Kodheli ka qenë kandidatura më e votuar nga deputetët socialistë në propozimet e tyre, Balla tha se lista e kandidaturave nuk do të bëhet asnjëherë publike.

Balla: Në asnjë moment nuk do të bëjmë publikë emrat e propozuar. Janë administruar, janë pjesë e strukturimit të disa propozimeve që kanë ardhur nga deputetët. Është e padrejtë të dalim dhe të lexojmë një listë me emra të propozuar. Sakohë që ne po negociojmë me opozitën për kalendarin, duam të negociojmë me opozitën për kriteret dhe emrin ne nuk mund të vijmë me emër konkret sot. Hap pas hapi. 

Balla: Duam të ecim me një President konsensual, sesa do t'ia arrijmë kjo është një çështje që nuk varet nga ne.

Konferenca e Kryetarëve mblidhet me 4 ose 6 Maj

Balla konfirmoi shtyrjen me një javë të mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve.

Balla: Me përfaqësues të shoqërisë civile kemi diskutuar për kalendarin e procesit dhe kemi marrë një pjesë propozimesh me shumë vlerë që lidhen me figurën e presidentit, çfarë duhet të përfaqësojë për të filluar të ndërtojmë kriteret për zgjedhjen e kandidatit apo kandiodates për president. Po sot kemi pasur kontakt me zonjën Doda dhe zotin Mediu ku kemi marrë prej tyre si një kërkesë paraprake për të marrë pak më shumë kohë, duke riskeduluar këto afate me një javë shtesë. Kërkesa ishte që konferenca e kryetarëve të mos mblidhet me 29 prill por me 4 ose 6 maj në varësi të afateve që do biem dakord. Dhe pastaj brenda çdo 7 ditëshi për tu zhvilluar raundet pasuese.

E mirëprita propozimin e opozitës për tu tërhequr nga propozimi ynë i parë. Nesër do ti drejtohem me një shkresë kryetares së Kuvendit për të ndryshuar këto afate dhe po ashtu në ditët në vijim do të kemi një konfirmim dhe nga kryetari i grupit parlamentar të PD Alibeaj. Duam një proces transparent, gjithëpërfshirës, dialog konstruktiv mes të gjitha grupeve parlamentare. Në këto dy ditë kemi vendosur shina të forta për të ecur në këtë proces. Jam shumë optimist se niveli i dialogut konstruktiv politik në Kuvend është aq i qëndrueshëm sa ti japë Shqipërisë një president me cilësi konsensuale, sa i madh do jetë ky konsensus këtë nuk mund ta parashikoj sot. Ne duam që Shqipërisë ti japim një president të shqiptarëve dhe jo një president të njërës palë apo palës  tjetër.

Sesi do të përfaqësohet opozita në negociata me PS, Balla tha se është në dorë të tyre.

Balla: Opozita të bjerë dakord mes tyre, ne duam që procesi të zhvillohet brenda Kuvendit dhe mes grupeve parlamentare. Se grupet parlamentare të opozitës bien dakord që të kenë të treta tre përfaqësues të tyre, secili nga një përfaqësues, mund të jenë kryetarët e grupeve, sekretarërt, përfaqësues pa titull në drejtimin e  grupit kjo është vendimmarrja e tyre. Natyrshëm që duhet të prisni dhe komunikimin nga kryetari i grupit të PD, si grupi më i madh i opozitës kanë dhe pjesën më të rëndësishme të vendimmarrjes në këtë proces.

Tjetër tryezë me shoqërinë civile

Balla: Kemi dakordësuar me shoqërinë civile që do ritakohemi me ta. Ja kam propozuar zotit Mediu dhe do ti propozoj dhe Alibeajt që në takimin tjetër me shoqërinë civile të shkojmë të gjithë sëbashku. Edhe aty jo për të marrë emrin por për të skicuar tiparet, kriteret që duhet të përmbushë presidenti i Shqipërisë në mandatin 2022-2027. Jemi në një moment të rëndësishëm të anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Para disa minutash Komisioni i Politikës së Jashtme në Parlamentin Europian ka miratuar raportin për Shqipërinë të propozuar nga Isabel Santos që edhe njëherë rishpreh për mbajtjen sa më parë të konferencës së parë ndërqeveritare brenda muajit qershor mes Shqipërisë dhe BE, sikurse shpresojmë që drita jeshile të çelet dhe për Maqedoninë e Veriut. Kemi dakordësuar sot me 2 prej 3 grupeve të opozitës që procesi të shtyhet me një javë. Shpresoj që brenda kësaj jave por më së shumti në fillim të javës së ardhshme të kemi një takim dhe me kryetarin e grupit të PD-së Alibeaj që kur të shkojmë në Konferencën e Kryetarëve të kemi dakordësuar minimalisht kalendarin. Nëse do arrijmë të dakordësojmë dhe kriteret dhe pastaj të shkojmë  dhe të emra të veçantë, kjo është një gjë që na bën nder të gjithëve.