Presidenti në zarf, negociatat sa për procedurë. Shtyhet me një javë kalendari

Edi Rama edhe pse e ka emrin e Presidentit të ri ne zarf, po negocion me opozitën dhe shoqërinë civile për të gjetur pasuesin e Ilir Metës. Përfaqësia socialiste ra dakord me Fatmir Mediun të shtyje vetëm kohën, ndërsa pritet tashmë edhe takimi me kryetarin e grupit parlamentar demokrat.

Pasi hapën zarfat me 67 emrat e propozuar nga deputetët socialistë për Presidentin e ri, Taulant Balla dhe Elisa Spiropali u ulen në tryezë për të diskutuar me përfaqësuesit e opozitës.

Në takimin me dyer të mbyllura të socialistëve dhe Fatmir Mediut është dakordësuar vetëm për shtyerjen e kalendarit.

Mediu: Balla parashtroi kalendarin që duhet zhvilluar për këtë proces, nuk hymë në asnjë diskutim tjetër. Ramë dakord për të shtyrë Konferencën e Kryetarëve që ishte planifikuar më datë 29, për të pasur një kohë më të madhe në dispozicion, e më pas do përcaktojmë edhe përcaktimin e kalendarit të kësaj çështje bazuar mbi ato që ka përcaktuar Kushtetuta.

Balla: E kam mirëpritur propozimin e dy grupeve parlamentare të opozitës të mos jetë data 29 prill por të jetë data 4 ose 6 maj.

Kushti i mazhorancës për të vendosur se me kë do të negociojë te opozita për zgjedhjen e Kreut të Shtetit, për Mediun është i papranueshëm.

Mediu: Çështja e përfaqësimit të opozitës në një trupë të vetme është çështje e opozitës dhe jo e PS. Shpresoj që opozita të arrijë mirëkuptimin se është e nevojshme, e domosdoshme që të ketë një trupë për të bërë një proces sa më të qenësishëm dhe për të arritur në një konluzion sa më pozitiv në këtë proces.

Socialistët janë optimistë që Presidenti i ri do të zgjidhet me shumicë votash, por pa specifikuar se si do t’i gjejnë kartonat në rast të mosgjetjes së konsensusit.

Balla: Jam shpresëplotë që ne mund të zgjedhim një President apo Presidente me shumicë përtej 3/5. Ka plot personalitete në Shqipëri që mund të marrin përtej kësaj shumice që garantohen zgjedhjen në raund të parë.

Por mazhoranca nuk lë pa ja kujtuar opozitës edhe asin nën mëngë, dy raundet e fundit me 71 vota.

Balla: Kam mirëkuptuar  kërkesën e opozitës për më shumë kohë por brenda atij afati që është 24 maji. Nëse do kemi mundësi që kur të shkojmë te kriteret dhe pastaj te emrat të gjejmë kandidaturën që gëzon mbështetjen edhe të mazhorancës dhe të opozitës kjo është gjëja më e mirë që ne mund të japim, duam një President për gjithë shqiptarët.

Zgjedhja e Presidentit nëpërmjet emailit është kritikuar nga shoqëria civile.

Krasniqi: Mendoj se është fyese që t’i thuash shoqërisë civile që na dërgoni me e-mail një emër për presidentin e republikës, kur po flasim, edhe Big Brother kishte më shumë seriozitet. 

Këta te fundit kanë propozuar përzgjedhjen e një gruaje në krye të shtetit si dhe më shumë kritere në procesin e përzgjedhjes dhe një figurë gjithpërfshirë të angazhuar jo vetëm në politikë.