Kërkohet një President. Socialistët propozojnë 3 emra nëpër zarfe të mbyllura

Deputetët e Partisë Socialiste kanë propozuar përmes formularit të vendosur në zarfe emrin e Presidentit të ri. Në sallën e mbledhjes së Grupit Parlamentar ishte vendosur dhe një kuti votimi, ku secili prej tyre bëri propozimin.

"Kritere fare elementare si për shembull njohjen e gjuhës shqipe, vetëpërmbajtjen", tha Rama.

Më herët kryeministri Edi Rama theksoi disa prej kritereve ku më kryesorja ishte propozimi i një figure që do të ishte e kundërta e Ilir Metës.

"Një figurë që ka peshën dhe zërin e vet bazuar në atributet që i jep Kushtetuta dhe që nuk bëhet qesharak e i rrezikshëm duke rrëshqitur jashtë binarëve të Kushtetutës siç ndodhi me Ilir Metën", tha kryeministri.

Poll

Madje në fjalën e tij Rama sqaroi se ilir Meta u zgjodh katër vite më parë për shkak të numrit të votave por edhe pse u mendua ti lihej opozitës.

"Vullneti dhe dëshira jonë ishte që zgjedhja jonë të binte mbi dikë që në njëfarë mënyre do të mund ta përfaqësonte edhe opozitën", tha ai.

Edhe pse i qetë, thumbimi ndaj Metës ishte mjaft i ashpër.

"Por duke menduar asokohe se do të ishte dhe një President për Shqipërinë. Rrjedha e ngjarjeve tregoi të kundërtën për Shqipërinë dhe shqiptarët dhe i dha vendit një President i cili ishte shëmbëlltyra më e keqe", tha Rama.

Socialistët kanë kërkuar mbledhjen e konferencës së kryetarëve në datën 29 prill dhe më pas raundi i parë i votimeve të nis në 4 maj.

Kryetari i grupit Taulant Balla theksoi se pjesë e konsultimeve për emrin e presidentit ka qenë edhe publiku

"Deri në orën 08:00 të ditës së sotme kanë ardhur rreth 132 e-maile me propozime konkrete nga qytetarët", tha Balla.

Kërkohet një President. Socialistët propozojnë 3 emra