Lufta në Ukrainë, Italia kthen Ambasadën në Kiev, pritet ta ndjekë Spanja
Pavarësisht luftës së vazhdueshme në Ukrainë, Italia dhe Spanja po e kthejnë stafin e tyre të ambasadës në Kiev.
Ambasada italiane u rihap të hënën pasi u zhvendos nga Kievi në Lvivin perëndimor në mars për arsye sigurie, thanë burimet.
Spanja gjithashtu do të rihapë Ambasadën e saj "së shpejti", njoftoi kryeministri Pedro Sánchez.
"Ne do të rihapim Ambasadën spanjolle në Kiev, Ukrainë, në ditët në vijim si një shenjë e mëtejshme e përkushtimit të qeverisë spanjolle dhe shoqërisë spanjolle ndaj popullit ukrainas," tha Sánchez në një intervistë me transmetuesin Antena 3.
Spanja e tërhoqi stafin e Ambasadës së saj në Poloni menjëherë pas pushtimit rus.
Ministri i Jashtëm i Italisë, Luigi Di Maio, tha të premten se Ambasadori italian kishte mbërritur në Kiev dhe se përfaqësia italiane do të jetë "plotësisht funksionale nga e hëna".
“Është simbol i një Italie që nuk humb kohë, që nuk pushon së besuari në diplomaci dhe kërkon vazhdimisht paqen”, shtoi ai.
