Vdekje masive në "Ditën e Ngjalljes", Rusia: Kievi do qëllojë besimtarët nëpër kisha Natën e Pashkës

Rusia pretendon se Natën e Pashkës Ortodokse kishat në Ukrainë do të përgjaken, por sipas tyre këtë herë nuk do jenë rusët autorët, por vetë ukrainasit të cilët kërkojnë që të bëjnë me faj Moskën për masakra të besimtarëve në 24 prill.

Rusia pretendon se Ukraina do të ndërmarrë sulme ndaj kishave ortodokse në vend, natën e Pashkës dhe më pas të bëjë fajtore Moskën.

Ministria ruse e Mbrojtjes pretendon se ka disa prova operacionale për një provokim me viktima mes besimtarëve të krishterë nga ana e Kievit.

"Regjimi i Kievit, me mbështetjen e një numri vendesh perëndimore, po përfundon përgatitjen e provokimeve të sofistikuara monstruoze me viktima të shumta në rajonet e Zaporizhjas, Mikolajevit, Odesas, Sumit dhe Harkivit. Në këto rajone, në natën e Pashkëve në 24 prill është planifikuar të hidhen mortaja në kishat ortodokse për të bërë fajtore më vonë forcat ruse për masakrën e civilëve. Për vrasjen e besimtarëve janë ngritur 70 grupe të batalioneve nacionaliste me furgona e fuoristrada të pajisur me mortaja me qëllim granatimin e kishave".

Ndërsa pretendojnë se kanë prova që fakton një masakër të supozuar, Mbrojtja ruse potencon se Kievi do të thërrasë gazetarët që të falsifikojnë masakrën.

"Kievi planifikon të marrë një numër të madh gazetarësh nga agjencitë perëndimore të lajmeve për të filmuar mizorinë e supozuar të rusëve dhe menjëherë të shpërndajnë lajme të rreme në mënyrë cinike. Provokimet e autoriteteve ukrainase demonstrojnë indiferencën e tyre totale për fatin e qytetarëve të tyre. Ne paralajmërojmë vendet e civilizuara perëndimore, me në krye SHBA-të që Federata Ruse ka prova operacionale rreth krimeve të tmerrshme që do të ndodhin nga regjimi i Kievit".

Ministria e Mbrojtjes ruse thotë se deklarata urgjente do të publikohet menjëherë dhe do t’i komunikohet Kombeve të Bashkuara, OSBE-së, Kryqit të Kuq dhe organizatave të tjera ndërkombëtare.