Platforma e Alibeaj nuk përfshin Berishën, Shehu: Pjesë e mekanizmit që solli përçarjen, s'ka autoritet për bashkimin
Enkelejd Alibeaj ka dalë me një propozim për bashkimin e demokratëve dhe Partisë Demokratike.
Draft-platforma e cila është ende në diskutim dhe nuk ka marrë formë përfundimtare parasheh kthimin në PD të gjithë deputetëve të pezulluar apo përjashtuar nga grupi parlamentar nga Këshilli Kombëtar me 12 janar 2022.
Por bashkimi nuk nënkupton edhe kthimin e ish-kryeministrit Sali Berisha i përjashtuar nga grupi me vendim të Lulzim Bashës me 9 shtator.
Deputeti demokrat Tritan Shehu, në një intervistë për Ora News, me gazetarin Arnold Kariqi, u shpreh se çdo deputet i PD është i lirë të paraqitë mendimet e tij.
Shehu: E rëndësishme është që të gjithë deputetët të jenë pjesëmarrës, të jenë pjesë e këtij procesi. Unë mendoj se të gjithë deputetët janë të ftuar, janë të ingranuar në këtë proces. Të tjetër do të ingranohen në ditët që vijnë. Deputetët që kanë vërejtje për zona të ndryshme mund t'i shprehin ato dhe menjëherë të krijohen grupe auditi. Pas kuvendit që do kemi më 30 prill, të gjithë deputetët do jenë automatikisht anëtarë të Këshillit Kombëtar pa u votuar. Këtu duhet të përqendrohemi.
Në platformë thuhet se anëtarët e Grupit të PD të përjashtuar apo pezulluar në 12 janar të kthehen në grup. I pyetur se si ndihen tani që Alibeaj dhe Bardhi "i falën" zoti Shehu se kjo është diçka qesharake.
Shehu: Ishte hare e madhe për mua, ishte gëzim i madh që vullneti suprem na fali. E kuptoni sa qesharake është kjo gjë? Është për të qarë apo për të qeshur? Ata janë të dy autorët e përjashtimeve, ata kanë firmosur letrat e përjashtimeve emër për emër. Këta janë bashkëfajtorë në këtë proces përjashtimesh që ka pësuar PD. Tani PD drejtohet nga Komisioni i rithemelimit i cili ka marrë vendimet e tij dhe asnjë nuk është i përjashtuar nga partia. Në PD nuk ka më pezullime, nuk ka më përjashtime. Ato ishin metoda staliniste që filluan të përdoren që nga 9 shtatori dhe morën dimensione tragjike. Ishin shkaktar i krizës së madhe. Grupi Parlamentar ka filluar të mblidhet së bashku.
Berisha nuk pranohet në Grupin Parlamentar nga Alibeaj. Për deputetin, secili mund të ketë mendimin e vet personal, por Alibeaj është shkaktar dhe pjesë e mekanizmit që solli përçarjen.
Shehu: Berisha është anëtar i Grupit Parlamentar. Alibeaj mund të ketë mendimin e tij personal, por nuk ka asnjë tagër. Aktualisht është kryetar i Grupit Parlamentar, por unë e them hapur që ai nuk mund të qëndrojë sepse është pjesë e atij mekanizmi që solli përçarjen, është firma e tij që ka firmosur ato palo dokumente pas datës 12 janar, përjashtimet dhe pezullimet.
Zoti Shehu tha se Alibeaj së pari duhet të japë shpjegime të qarta për ato që kanë ndodhur dhe nuk mund të ketë autoritetin e bashkimit një person që ka firmosur dokumentet e përjashtimeve.
