Mehmeti tepër i zhgënjyer. Plori: Tifozët na ndihmuan, kishim presion
Në një ndeshje me eliminim direkt, gjithmonë ka të gëzuar e të zhgënjyer. Dritan Mehmeti nuk e fshehu zhgënjimin për eliminimin nga Kupa e Shqipërisë teksa pranoi se penalltitë janë edhe fat por për të mund të bëhej më mirë në fushë.
“Ka zhgënjim sepse ashtu si e nisëm lojën, me dy tre kundërsulme mund ta mbyllnim ndeshjen. Skuka duhej të tregohej me altruist në një moment, kur je në avantazh këto situata duhen menaxhuar më mirë. Megjithatë, skuadra është paraqitur mirë, por këto në një ndeshje gjysmëfinale këto kthehen në disfavor. Penalltitë janë fat dhe gjendje emocionale, Skuka është nga më të mirët te penalltitë. Por, është edhe fat. A do të na ndikojë në kampionat? Nuk kemi arsye pse të biem psikologjikisht, jemi në garë, ka edhe tetë ndeshje. Për momentin ndihem keq por futbolli është i paparashikueshëm. Skuka?është i ri dhe për herë të parë në Superiore, është pak e vështirë të ndryshojë se ashtu është mësuar. Duhet të sinkronizohet me skuadrën, edhe Kallaku dihej të ishte më altruist. Nuk është e lehtë të marrësh një skuadër të rënë psikologjikisht dhe të arrish deri këtu. Nuk është e lehtë të bësh skuadër në janar”, u shpreh trajneri i të kuqve pas eliminimit.
Në krahun tjetër sigurisht që ka festë dhe për trajnerin Plori, tifozeria ishte një ndihmë e madhe për skuadrën edhe pse pohoi se kishte presion të madh për këtë ndeshje.
“Është mundi i gjithë vitit sepse këto ekipe që nuk dalin në Europë nuk kanë mundësi të mëdha financiare. Dua të përgëzoj edhe trajnerin Dritan Mehmeti dhe këto ndeshje kanë një specifikë më vete. Tifozeria na jepte një shtysë më shumë, ata janë të ndjeshëm, nëse nuk vijnë rezultatet. Shkodra është një kulturë më vete për tifozët, edhe falë tyre jemi në finale. Dëmtimi i Da Silvës na bëri të ndryshojmë dhe ekuilibrin e mbajtëm me dy të qendrës, mund të guxoja më tepër për ta çuar pak më lart. Latifi kishte shumë entuziazëm, por dëshira e madhe përballë publikut dhe shokëve të skuadrës them se e ka bërë që të kalonte në lëvizje individuale. Ne duhet ta ndihmojmë kur është keq, pasi është një nga lojtarët më të mirë. Këto ndeshjet e radhës që kemi në kampionat, kjo ndeshje duhet të na e rrisi besimin”, deklaroi i kënaqur në fjalën e tij Elvis Plori./Ora News/.
