Sacchi nostalgjik për futbollin sulmues që Italia e ka humbur…

Ish-trajneri i Milanit dhe Italisë, Arrigho Sacchi është një minierë ari kur bëhet fjalë  për histori të patreguara me personazhe kampionë të botës së futbollit. Tashmë me mbi 80 vite mbi supe, Sacchi kujton: “Në gjysmëfinalen e Euro 2000 isha në tribunë për të ndjekur ndeshjen Holandë-Itali bashkë me Pele. Në fund fituam me penallti pas një ndeshjeje të mbyllur në mbrojtje dhe Pele më tha: Sa keq, keni lojtarë të mirë, por nuk dini të luani futboll”.

Në vijim, Sacchi flet edhe për mënyrën se si ai e përjeton dhe e shikon futbollin duke marrë një shembull praktik nga koha kur Milani i tij bënte ligjin në kontinent. Ai i referohet një anekdode të Rud Gullit. “Një herë ai më tha: Trajner, pse nuk përpiqemi edhe ne ta hedhim topin në zonën e kundërshtarëve sepse jemi të fortë në lojën me kokë dhe ndoshta shënojmë. Jo i thashë sepse nëse shënojmë atëherë do të luajmë përherë ashtu. Unë nuk dëshiroja lojën me topa të gjatë por pasime të shopejta, shkëmbime, organizim dhe presing duke dominuar katërkëndëshin e gjelbër”, thekson trajneri kampion Europe.

Rrëfim i sinqertë i Sacchit, njeriut që humbi Kupën e Botës me 11-metërsha por ngriti në një nivel tjetër gjithë futbollin italian edhe pse sot futbolli në Gadishullin Apenin është në një nga krizat më të mëdha të dekadave të fundit.