Atalanta dhe Gjimshiti i japin lamtumirën Europës, Leipzig në gjysmëfinale (Video)

Që kur Gjimshiti u dëmtua, Atalanta ka vuajtur dhe nuk ka fituar dot asnjë ndeshje. Edhe sot pa mbrojtësin shqiptar që ishte në stol për të mos rrezikuar, skuadra italiane nuk mundi as të ruante rezultatin e ndeshjes se parë duke humbur përballë Leipzig në Bergamo.

Është ekipi gjerman që kalon në gjysmëfinalen e Europa League pasi përfitoi mjaft mirë nga forma e dobët e zikaltërve teksa fituan me rezultatin 2-0 ndërkohë që në ndeshjen e parë u ndanë në barazim 1-1.

Protagonisti kryesor i ndeshjes ishte mesfushori Nkunku që këtë sezon ka shifra të frikshme si të ishte një sulmues dhe jo fantasist teksa sonte shënoi 2 herë për të eliminuar Atalantën.

Në 18’ lojtari i Leipzig shënoi duke stresuar Atalantën të cilët nuk ishin të qartë në aksionet e tyre ndërsa në pjesën e dytë sërish Nkunku fitoi një penallti e më pas e ekzekutoi duke vulosur kualifikimin në gjysmëfinale./Ora News/.