Nga horrori i luftës në ring, Osyk shpreson që Ukraina të mos qajë më

Oleksandr Usyk nuk arrin ta shkëpusë mendjen nga Ukraina e tij. Kampioni i peshave të rënda i cili mori pjesë në mbrojtjen e Kievit disa ditë pas pushtimit të Rusisë, u bë pjesë e linjës mbrojtëse të kryeqytetit, por tashmë ai duhet të mendojë për sportin. Pasi mori një leje të posacme nga Ministria e Mbrojtjes, Osyk ka nisur stërvitjen për duelin e revanshit me Anthony Joshua, të cilin e theu disa muaj më parë.

 

Mes stërvitjes intensive dhe orëve të kaluara në palestër, Osyk ka një mendim fiks, atë të gjendjes në vendlindjen e tij, Ukrainën e dashur. Do të duelojë me kampionin britanik në qershor në Arabinë Saudite, por pavarësisht dëshirës për të qenë përkrah shokëve të ushtrisë, ai mbetet i detyruar nga kontrata e firmosur përpara duelit me Joshua të cilit i ka rrëmbyer gjerdanët IBF, WBA dhe WBO.

‘’Ishte ora 5 e mëngjesit kur gruaja ime më tha se lufta sapo kishte filluar. Udhëtova menjëherë në Ukrainë dhe më pas u takova me shokët e mi në Kiev pas një udhëtimi të gjatë me makinë nga Polonia për shkak të mbylljes së hapësirës ajrore për fluturuimet civile. Nuk e kuptova se çfarë po ndodhte por kur shkova në shtëpi dhe takova fëmijët dhe të dashurit e mi, u ndjeva disi më i qetë”, thekson boksieri ukrainas.

Shok i ngushtë me boksierin Vasyl Lomachenko i cili ka luftuar kundër trupave ruse në vijën e parë të frontit, Osyk kërkon që në sportin e boksit të lejë një shenjë të madhe për të vazhduar trashëgiminë e vëllezërve Klitchko. Osyk rrëfen më tej se ka qenë me fat që nuk është përballur me luftimet e ashpra në frontet e nxehta por shton se një numër i madh i njerëzve të tij të njohur sot nuk jetojnë më.

“Për fat të mirë nuk kam parë shumë luftë por nga ajo që kam dëgjuar nga shokët e mi, dicka e tmerrshme ka ndodhur dhe po ndodh sot në Ukrainë. Çdo ditë unë lutem që njerëzit të mos shikojnë një horror të tillë dhe të takohen sa më parë me njerëzit e tyre të dashur”, thekson ai.

Pak muaj më parë Osyk e theu Joshuan pas 12 raundeve të dominuar prej tij dhe britaniku kërkoi menjëherë revansh për të fituar gjerdanët e humbur. Ndeshja do të zhvillohet në Arabinë Saudite në qershor dhe të ardhurat për të dy boksierët do të jenë rreth 120 milionë euro. “Edhe pse nuk ka qenë e lehtë për mua e kam marrë tashmë një vendim dhe jam këtu për t’u përgatitur. Dua të mendoj vetëm për ndeshjen edhe pse mendja më shkon shpesh herë te lufta, shokët dhe Ukraina”, përfundon kampioni i ringut.