Interi nuk merr kryesimin në Serinë A, sfida me Bolognan do të luhet. Ja data

Një fitore në apel do t’i jepte Interit menjëherë kryesimin ne Serinë A. Sot Kolegji i Garancisë në Federatën Italiane, pas ankimimit të vendimit fillestar nga ana e Interit, vendosi që në fund kjo ndeshje të luhet dhe jo të jepet 3-0 në tavolinë për skuadrën e Inzaghit.

Bologna-Inter ishte në program për t’u luajtur në fillim të fazës së dytë të kampionatit, atëherë kur shpërthyen dhe infektimet në kampionatin italian nga covid-19 por Bologna nuk kishte lojtarë mjaftueshëm duke mos u paraqitur në fushë.

FIGC vendosi fillimisht që kjo sfidë që të luhej në një datë të dytë, por te Interi dyshonin se Bologna nuk ka respektuar rregullat sanitare të protokollit kundër koronavirusit prandaj dhe apeloi duke kërkuar fitoren 3-0 në tavolinë.

Vendimi mbyll çdo diskutim dhe aludim dhe konfirmon datën 27 Prill për t’u luajtur duke ngjeshur disi kalendarin e Interit që ka edhe gjysmëfinalen me Milanin në Kupën e Italisë./Ora News/.