Dinamo “shkëmb” dhe “nëndetëse” e fundosur. Ja si u rrëzua klubi kryeqytetas

Dinamo përpara dhe pas erës “Shkëmbi”. Statistikat e “nëndetëses blu” janë të frikshme gjatë dy apo tre muajve të fundit ku skuadra është zhytur në zonën e ftohtë të Superiores me shanse të vogla mbijetese.

Trajneri Bledi Shkëmbi që e la skuadrën në datën 7 shkurt, u largua me një bilanc në kufijtë e katastrofës, 19 pikë, vetëm 3 nga zona e ftohtë por ajo që erdhi më pas ishte tragjedi. Në të gjitha përballjet direkte Dinamo nuk arriti të fitonte, përjashtuar transfertën e Korçës që është edhe fitorja e vetme e Devollit. 18 ndeshje në kampionat me 10 humbje, 8 barazime dhe 6 fitore.

Ky është bilanci i Bledi Shkëmbit me Dinamon, në fund të aventurës së korçarit. Ish-mesfushori, gjatë merkatos së verës afroi në grupin aktual lojtarë që trashëgoi më pas Devolli e Vanoli. Trajneri italian deklaroi se të gjithë janë fajtorë për këtë situatë, por statistikat nuk janë në krahun e tij. Asnjë fitore për Dinamon që prej emërimit të trajnerit aktual dhe vetëm 1 të tillë në epokën Devolli i cili e drejtoi skuadrën në 7 ndeshje, 1 prej të cilave për llogari të Kupës ku Dinamo u eleminua.

Momentalisht, Dinamo ka pak shanse mbijetese pasi renditet në vendin e nëntë me një diferencë të madhe me zonën play-out duke rrëshkitur nga vendi i shtatë në zonën e ftohtë në mënyrë të pakthyeshme. Jo keq por shumë keq për një klub që ka bërë investime të denja për skuadra titulli pasi presidenti Bardhi ka shpenzuar jo pak për të plotësuar dëshirat e trajnerit në merkaton e verës./Ora News/.