Berisha akuza për Alibeajn: Merr në telefon njerëz, u thotë mos u bashkoni
Pas katër orësh diskutimesh në mbledhjen e Komisionit të Rithemelimit të Partisë Demokratike, ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi se askush nuk do të mund ta pengojë procesin e ristrukturimit të degëve të PD-së që i paraprijnë Kuvendit të 30 prillit. Berisha akuzoi sërish Alibeajn se po përpiqet ta pengojë bashkimin e demokratëve. Ndërsa raportin e Dash-it e cilësoi si një radiografi të qeverisë “Rama”.
Ish-Kryeministri Sali Berisha ka folur para mediave pas mbylljes së mbledhjes së të mërkurës në selinë e PD-së që u mbajt nga Komisioni i Rithemelimit.
Berisha sqaroi se u diskutua gjerësisht mbi ecurinë e procesit drejt Kuvendit të 30 prillit.
Ai ka lëshuar akuza ndaj Enkelejd Alibeajt, duke thënë se ky i fundit ka marrë në telefon persona dhe u ka thënë që të mos bashkëpunojnë për bashkimin e PD-së.
Berisha: "Mbledhja përfundoi, u diskutua gjerësisht mbi ecurinë e procesit deri më tani. Fryma e pajtimit dhe bashkëpunimit në bazë është shumë e mirë. Telefoni i prishur i Enkelejdit, që marrin persona të caktuar të mos bashkëpunojnë, nuk po e pengojnë këtë proces. Shqetësimet e ligjshme të deputetëve që i ngritën për defekte të caktuara në degë, do merren masa që t’u jepet zgjidhja"
Berisha theksoi se drejt Kuvendit të PD-së, po ecet me transparencë të madhe, ndërsa shtoi se problemet në degët e PD-se në rrethe do të zgjidhen.
Berisha:"Po ecet drejt Kuvendit me transparencë të madhe. Ka pasur problematika në Lushnje. Ka pasur një problem që do zgjidhet. Para fillimit të fushatës, kanë bërë një ujdi, e cila ka funksionuar për fushatën, por tani vetëm vota".
Ish-kryeministri Sali Berisha ka përshëndetur raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit, duke e cilësuar një radiografi të plotë e qeverisë.
Sipas tij raporti ka trajtuar në mënyrë objektive, problemet madhore të këtij vendi, duke nisur që nga të drejtat e njeriut, lufta kundër korrupsionit dhe afera e incineratorëve.
Berisha: "Vlerësoj shumë raportin dhe mendoj se ka trajtuar në mënyrën objektive, problemet madhore të këtij vendi. Ka bërë një radiografi të plotë të kësaj qeverie, në rrafshin e të drejtave të njeriut, në rrafshin e korrupsionit, në rrafshin e luftës kundër kriminalitetit. E gjej si dokument shumë të vyer dhe të dobishëm për të gjithë ata që janë të interesuar për të parë gjendjen në vend. Pasqyronte problematikën e madhe të incineratorëve. Pasqyronte problemin e mungesës për shqiptarët të një të drejte themelore që është procesi i duhur gjyqësor. Nuk mjafton vetëm transparenca për një proces por edhe koha e duhur. Ishte një raport të cilën e përshëndes përzemërsisht dhe më vjen shumë mirë se renditeshin të gjitha çështjet. Ishte një radiografi e plotë e regjimit të sotëm".
Komisioni i Rithemelimit të PD u mblodh mbrëmjen e së mërkurës në selinë blu.
Ajo që ra në sy ishte fakti që mbledhja është zhvilluar në zyrën që mbante ish-kreu i PD-së Lulzim Basha, teksa merrnin pjesë shumica e anëtarëve të komisionit.
