Kryeministri "tallet" me raportin e DASH, Bylykbashi: Kushedi ç'i thotë mendja Ramës...

Departamenti amerikan i Shtetit në raportin e 2021 për Shqipërinë thotë se vendi ynë ka korrupsion të përhapur në të gjithë shtetin.

Sipas DASH, problem mbetet pavarësia e gjyqësorit dhe mungesa e ndëshkueshmërisë pavarësisht se SPAK dhe gjykatat kundër korrupsionit kanë bërë përparim të rëndësishëm gjatë 2021’.

Deputeti demokrat Oerd Bylykbashi në një intervistë në RTV Ora për gazetaren Beti Njuma u shpreh se kushdo që ndjek përditshmërinë politike e di shumë mirë se gjendja është gjithnjë e më e rënduar.

Bylykbashi: Raporti i DASH është një pasqyrë që tregon gjithmonë e më qartë keqqeverisjen e këtij vendi, qeverisjen e padrejtë, korrupsionin që është gur themeli i mënyrës së qeverisjes, bashkëpunimi me krimin, kapjen e drejtësisë.  Janë të gjitha këto elemente që i duhen një qeverie që të qeverisë e pakundërshtuar dhe po ashtu kemi shit-blerjen e votës. Ky është korrupsion politik i pastër i financuar me paranë e korrupsionit qeveritar dhe të krimit të organizuar si mekanizma për kapjen e demokracisë.

Ndërsa kryeministri Rama përmes një postimi në Twitter "u tall" dhe ironizoi raportin e DASH duke e cilësuar copy-paste të vitit të kaluar.

Bylykbashi tha se kjo është tallje me DASH dhe Ramës i jen një lloj ngazëllimi fakti që si kryeministër është edhe pjesë e Këshillit të Sigurimit.

Bylykbashi: Kushedi ç'i thotë mendja zotit Rama se për shkak të këtij pozicioni mund të ketë një lloj imuniteti nga tallja me DASH. Ne e dimë kush është qeverisja që bën Rama për shqiptarët. Pra nëse tallet me raportin është problemi i DASH dhe janë ata që kanë reagimin e tyre për këtë çështje. Ajo që ka rëndësi nëse ne nuk na bën përshtypje fakti që raporti vazhdon të përkeqësohet ajo që duhet të themi është këmbanë e madhe e përsëritur, për një keqqeverisje korruptive në lidhje me krimin duke blerë vota dhe kalon e pandëshkuar. Në themel të gjithë kësaj historie është pandëshkueshmëria. Nëse do kishte ndëshkueshmëri të kësaj qeverie, korrupsionit të saj, mënyrës si qeveris, ne nuk ishim në këtë situatë. Nëse do kishte ndëshkueshmëri të blerjes së votave do të kishim një rrotacion politik me votë.  Edi Rama ka ardhur në pushtet duke blerë vota, duke dhunuar dhe duke bërë masakër mbi të drejtën e votës së shqiptarëve. Këtu duhet ta trashim lapsin, ta theksojmë dhe ne si opozitë të luftojmë që kjo të dalë gjithmonë në pah.

Ajo që ka rëndësi tha Bylykbashi është se DASH ka reflektuar në një masë të madhe atë që është keqqeverisja dhe kjo kambanë duhet të bjerë fort në gjithë Shqipërinë.