"Alibeaj", Berisha thërret Rithemelimin një ditë pas përplasjes në Grupin Parlamentar

Pasditen e sotme, Komisioni i Rithemelimit të PD-së pritet të ketë një mbledhje dhe në fokus do jenë ngjarjet e djeshme në Grupin Parlamentar. Mbledhja e djeshme u shoqërua me debate mes Berishës dhe Alibeajt.

Tashmë duket se targeti akuzave  është bërë Alibeaj dhe ashpërsimi i gjuhës ndaj tij erdhi kur vendosi të apelonte vendimin e Gjykatës së Tiranës që i dha të drejtë Rithemelimit. Gazetarja e Ora News, Katerina Hysenllari bën me dije se pjesa më e madhe e anëtarëve të Rithemelimit dhe Berisha ndodhen në selinë e PD-së.

Zërat thonë se ditën e sotme pritet të bëhet një letër zyrtare për të bërë të mundur shkarkimin e Alibeajt, por mbeten thjesht zëra pasi nga informacionet që ka Ora News kjo nuk është një nismë zyrtare.

Në qendër të diskutimeve do të mbetet riorganizimi i PD-së, çështje e cila nuk po zgjidhet dhe ende pavarësisht zgjedhjeve nuk është arritur një dakordësi nga të dyja palët. 

Ditën e djeshme, pas 5 orësh mbledhje palët dolën me qëndrime të prera. Sali Berisha deklaroi se tani nuk e njeh më Alibeajn as si kryetar të Grupit Parlamentar pasi sipas tij një kryetar nuk mund të japë frymë përçarëse dhe nuk mund të ankimojë një vendim që e ka dhënë Gjykata.

Nga ana tjetër Alibeaj u shpreh se nuk do ta tërheqë mbrapsht kërkesën.

Duket se mbledhja e ditës së sotme do të jetë vendimtare. Në 30 prill Komisioni i Rithemelimit pritet të mbajë Kuvendin Kombëtar.