VIDEO/ Të shtëna me armë zjarri në një stacion metroje në Nju Jork, 23 të plagosur. Autoritetet në kërkim të autorit

Të paktën 23 persona kanë mbetur të plagosur si pasojë e të shtënave me armë zjarri në një stacion metroje në Brooklyn, Nju Jork.

Sipas mediave të huaja, 10 prej tyre janë qëlluar me armë zjarri. Të gjithë të plagosurit ndodhen në spital nën kujdesin e mjekëve. Mësohet se përveç plagëve ata kanë thithur dhe shumë tym. 

Mediat e huaja, bëjnë me dije se në stacion janë gjetur edhe "disa pajisje të pashpërthyera".

Ndërkohë autori i ngjarjes ndodhet ende i lirë, sakaq po bëhen përpjekje për ta kapur. 

Zyrtarët e qytetit dhe të shtetit thanë se po vazhdojnë kërkimet për të dyshuarin. Komisioneri Sewell tha se dyshohet se autori ishte një burrë i veshur me një jelek të gjelbër të tipit konstruksion me një xhup gri me kapuç.

Ndërkohë pas sulmit studentët e shkollave përreth janë evakuuar, ndërsa janë pezulluar dhe metrotë e qytetit. 

Zyrtarët u kanë bërë thirrje qytetarëve të qëndrojnë larg zonës ku kishte ndodhur sulmi.