Dyshime se Moska ka përdorur armë kimike në Ukrainë

Ushtria ukrainase pretendojnë se forcat e Moskës kanë hedhur armë kimike me dron në qytetin e Mariupolit.

Ushtarët e Kievit thanë se të hënën, një dron rus shpërndau një agjent të paidentifikuar kimik duke lënë disa prej tyre me vështirësi në frymëmarrje.

Parlamenti ukrainas akuzoi forcat ruse se qëlluan mbi tanke me acid nitrik në rajonin e Donjeckut.

Përmes një postimi në rrjetin social Twitter faqja zyrtare e Parlamentit të Ukrainës u kërkoi qytetarëve që të përgatisin maska mbrojtëse me sodë për fytyrën.

Zyrtarët perëndimorë reaguan me shpejtësi duke paralajmëruar me pasoja të rënda për Moskën.

Ministrja e Jashtme britanike Liz Truss tha se përdorimi i armëve kimike do të ishte një akt i pashpirt nga ana e Vladimir Putinit.

KETU LAJMET MINUTE PAS MINUTE

Raportohet se forcat ruse mund të kenë përdorur agjentë kimikë në një sulm ndaj banorëve të Mariupolit. Ne po punojmë urgjentisht me partnerët për të verifikuar detajet. Çdo përdorim i armëve të tilla do të ishte një përshkallëzim i pashpirt në këtë konflikt dhe ne do të bëjmë përgjegjës Putinin dhe regjimin e tij.

Në Uashington, zëdhënësi i Pentagonit John Kirby tha se zyrtarët amerikanë po monitoronin situatën në Mariupol.

Sipas tij, nëse përdorimi i armëve kimike faktohet, vërteton shqetësimet e hershme të Shteteve të Bashkuara.

Shtëpia e Bardhë, Mbretëria e Bashkuar dhe Ukraina kanë pretenduar prej javësh se Rusia mund të hedhë agjentë armë kimike ose biologjike ndaj popullatës dhe ushtrisë ukrainase.

Presidenti ukrainas Zelenski i përsëriti këto shqetësime të hënën, duke i bërë thirrje perëndimit për sanksione më të forta kundër Rusisë për të penguar përdorimin e armëve të tilla.

Moska, e cila i mohon akuzat thotë se pretendime të tilla mund të përdoren për të gjetur një pretekst që SHBA-të dhe aleatët e saj perëndimorë të rrisin përpjekjet për të ndëshkuar Rusinë.