Rreth 4.8 milionë fëmijë ikën nga Ukraina që nga fillimi i pushtimit rus

Rreth 4.8 milionë fëmijë janë larguar nga Ukraina qëkur forcat ruse pushtuan vendin, ka thënë agjensia e OKB-së.

Drejtori i programeve emergjente të UNICEF-it, Manuel Fontaine, tha se numri i fëmijëve që kishin ikur nga vendi ishte "i pabesueshëm".

“Ata janë detyruar të lënë gjithçka pas, shtëpitë e tyre, shkollat dhe anëtarët e familjeve të tyre”, -tha ai në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

"Kam dëgjuar histori të ndryshme, prindërit të dëshpëruar që duan ti dërgojnë fëmijët e tyre në një vend të sigurt, por dhe vet fëmijët janë të trishtuar sepse nuk janë në gjendje të kthehen në shkollë" shkruan BBC

Këto shifra vijnë pasi ambasadori i Ukrainës në OKB, Sergiy Kyslytsya, pretendoi se Rusia kishte marrë më shumë se 121,000 fëmijë nga Ukraina dhe madje thuhet se kishte hartuar një projekt-ligj për të thjeshtuar dhe përshpejtuar procedurat e birësimit për jetimët por edhe për ata që kanë prindër dhe të afërm të tjerë.

Shumica e fëmijëve që u larguan nga qyteti jugor i Mariupol, u dërguan në Donetsk lindor dhe më pas në qytetin rus të Taganrog, sipas z. Kyslytsya.