Le Pen nuk humb kohë për ‘fitoren’, mbështetësit: Nëse fiton Macron, edhe 5 vite të tjera ferri

Liderja e së djathtës ekstreme Marine Le Pen ka nisur fushatën dyjavore për raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale në Francë. Le Pen beson se 50% e francezëve duan politikë të ndryshme nga ajo e Macron dhe premtoi se do të ulte çmimet dhe inflacionin në rritje.

Liderja e së djathtës ekstreme, e cila mori të dielën një biletë për t’u përballur me presidentin Macron në raundin e dytë të zgjedhjeve të 24 prillit, ka nisur menjëherë fushatën dyjavore.

E nxitur nga rezultati i së dielës që e bën automatikisht një favorite më të fortë për Pallatin Elize, Le Pen ka shkuar pranë mbështetësve të saj në disa zona të Francës.

Le Pen u premtoi atyre se projekti i saj është për të gjithë francezët dhe se synon lumturinë e tyre, si dhe uljen e çmimeve të energjisë e ushqimeve për të cilat Macron nuk ka marrë asnjë masë.

Le Pen: "Projekti im është realisht për çdo francez, objektivi im për ta është lumturia, prosperiteti, siguria, si dhe mbrojtja e identitetit të tyre. Më shumë se 50% e tyre dëshirojnë një politikë të ndryshme nga ajo e Macron. Krahas rritjes së çmimeve të energjisë mbi francezët do të bjerë edhe barra e inflacionit të çmimeve të ushqimeve. Ky inflacion është rritur qëkur Macron mori detyrën, frutat e perimet janë rritur me 25%".

Mbështetësit e zonjës Le Pen, të bindur se e djathta do të fitojë në 24 prill thonë se nuk kanë parë asgjë nga Macron në këto 5 vjet dhe se më keq do të bëhet nëse ai rizgjidhet.

"Njerëzit e kanë parë se si vepron Macron. Ata e kanë vënë re atë duke gënjyer në transmetim. Kështu që unë mendoj se Marine Le Pen mund të fitojë. Kjo është shumë e sigurt".

"Francezët duhet të votojnë për Marine Le Pen. Sepse nëse njerëzit votojnë përsëri për Macron, ne do të kemi pesë vite të tjera ferri".

Le Pen mori 23,15% të votave të raundit të parë të 10 prillit përkundrejt 27,85% të votave të presidentit Macron.

Analistët politikë thonë se gara do të jetë tepër e ngushtë dhe nuk përjashtohet një fitore e mundshme e Le Pen, megjithëse votuesit e të majtës ekstreme të Zhan Lyk Melenshon i cili mori afro 22% të votave.