Serë kanabisi dhe 262 kg drogë në banesë, arrestohet djali i vogël i familjes, në kërkim i ati me vëllanë
Policia e Vlorës ka arrestuar një 21-vjeçar të shpallur në kërkim lidhur me sekuestrimin e 262 kg lëndë narkotike kanabis në gusht të 2021. Në pranga ka rënë Klajdi Kapllanaj.
"U bë kapja dhe ndalimi i shtetasit K. K., 21 vjeç, banues në Kaninë, Vlorë, të cilit Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë i ka caktuar masën e sigurisë ''Arrest në burg'', për veprat penale "Kultivimi i bimëve narkotike’’, ‘’Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike’’ dhe ‘’Vjedhja e energjisë elektrike’’, të kryera në bashkëpunim".
Ky shtetas është shpallur në kërkim në muajin gusht të vitit të kaluar, së bashku me babain Fatbardh Kapllanaj dhe vëllain Engjëllush Kapllanaj, pasi në vendin e quajtur “Çairet”, në fshatin Kaninë, gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë, në banesën e tyre u gjetën dhe u sekuestruan 210 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis.
Gjithashtu, gjatë kontrollit të ushtruar në një ambient pranë banesës së këtij shtetasi, e përshtatur si serë, me lidhje të jashtëligjshme të energjisë elektrike, Policia gjeti fidanë narkotikë të kultivuar në serë dhe në kubikë, si dhe 52 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis, në proces tharjeje.
Gjithashtu, gjatë operacionit, në gusht 2021, janë arrestuar në flagrancë shtetasit: A. T., 61 vjeç, me detyrë kryeplak i fshatit Kaninë, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit" dhe G. I., 51 vjeç, me detyrë elektricist pranë OSHEE-së, për veprën penale "Shpërdorimi i detyrës".
Vijon puna për kapjen e dy shtetasve të tjerë që janë shpallur në kërkim.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
