Vritet me armë zjarri 55-vjeçari në Shkodër, në 2020 i shpërthyen mjetin me tritol

Një ekzekutim me armë zjarri tronditi mëngjesin e sotëm lagjen "Partizani" të Shkodrës.

Viktima është identifikuar si shtetasi Nazmi Bandula.

Ai u qëllua me armë nga një mjet në lëvizje me xhama të zinj ndërsa konsumonte kafen e mëngjesit në mjediset e jashtme të një lokali pranë banesës së tij.

Si pasojë e plumbave të marrë, 55-vjeçari ka gjetur vdekjen në vend.

"Rreth orës 08:15, në lagjen “Partizani”, Shkodër, në rrethana ende të paqarta është vrarë me armë zjarri shtetasi N. B., 55 vjeç, banues në lagjen “Partizani” njoftoi policia.

Shërbimet e Policisë kanë rrethuar zonën dhe vijon krehja e saj, me qëllim kapjen e autorit.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe nën drejtimin e Prokurorisë vijon punën për  sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Në pyetje po merren dëshmitarët në vendngjarje, ndërsa do të sekuestrohen dhe kamerat e sigurisë përreth.

Kush është viktima?

Vritet me armë zjarri 55-vjeçari në Shkodër, në 2020

Nazmi Bandula u bë i njohur për opinionin  në dhjetor të 2020, kur i shpërthyen mjetin në parkim me tritol.

Ngjarja atëherë ndodhi në lagjen "Partizani". Mjeti ishte i parkuar në oborrin e shtëpisë.

Asokohe policia pati raportuar se sasia e tritolit në mjet ishte të paktën rreth 300 gram.

Nazmi Bandula është një person me precedent penal, pasi është arrestuar në vitin 2012 pas një konflikti pronësie me vëllanë e tij, të cilit i ka drejtuar armën.