Armë, municione dhe tritol në banesë, arrestohen babë e bir në Dibër
Policia e Dibrës ka sekuestruar një arsenal armësh, municion luftarak, tritol, kapsolla detonatore, e sende të tjera të kundraligjshme në një banesë në Dibër.
Në pranga kanë rënë babë e bir, Dalip dhe Pajtim Deda, 68 dhe 38 vjeç, banues në fshatin Shullan, njësia Administrative Kala e Dodës.
"Në kuadër të këtij operacioni është ushtruar kontroll në banesën e shtetasit D. D., në fshatin Shullan, ku janë gjetur dhe sekuestruar një arsenal armësh, konkretisht dy armë zjarri kallashikov, një pushkë, një armë gjahu, tritol, 200 metra fitil zjarrpërcjellës, 73 copë kapsolla detonatore, 715 copë fishekë, dhe 5 krëhëra arme" njoftoi policia.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Dibër për veprën penale "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit", kryer në bashkëpunim.