E mbështet apo jo Ballkanin e Hapur kancelari gjerman? Rama: Nuk e thotë hapur si unë, por…Janë shprehur shqiptarët, mbaron diskutimi
Kancelari gjerman, Olaf Scholz, nuk përmendi për asnjë moment në konferencën për media të një dite më parë me shefin e qeverisë shqiptare Edi Rama termin Ballkani i Hapur.
Kjo ndoshta ishte ndër pikat ku dy liderët si duket nuk ishin në një mendje po aq sa edhe për ndarjen e Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut në procesin për hapjen e negociatave.
Vetë Rama në një konferencë me gazetarët tha se kjo është mënyra si ka zgjedhur të komunikojë kancelari gjerman, por se kjo sipas tij nuk duhet lexuar si mosmbështetje ndaj nismës rajonale.
Rama: Sikur të ishte mosmbështetës nuk do përtonte ta thoshte. Kurrësesi nuk do të thosha që është mosmbështetës. Sa i takon mbështetjes së hapur dhe të thënë ashtu si e them unë është një zgjedhje e komunikimit plotësisht e respektueshme. Procesi i Ballkanit të Hapur ka lindur për shkak se procesi i Berlinit filloi të humbiste impaktin dhe për shkak se çfarë u vendos në procesin e Berlinit nuk u implementua kurrë nga vendet e Ballkanit Perëndimor. Nuk shoh asnjë problem. Sa i takon atyre që janë në Tiranë dhe janë kundër, aq më pak shoh problem se nuk më intereson fare çfarë mendojnë të tjerët. Më intereson se çfarë mendon shumica dërmuese e shqiptarëve që përmes Këshillimit Kombëtar e ka shprehur qartë se e do ecurinë e mëtejshme të Ballkanit të Hapur dhe këtu mbaron çdo diskutim.
A i kërkuat ndikim më të madh kancelarit për projekte të rëndësishme si Korridori Blu?
Rama: Jo i kam shpjeguar pse Korridori Blu nuk ka avancuar dhe pse sipas meje procesi i Berlinit ka ngecur dhe për çfarë arsyeje me procesin e Ballkanit të Hapur ne kemi bërë një pjesë të konsiderueshme të detyrave të Procesit të Berlinit në një kohë shumë të shkurtër ndërkohë që ato çështje të tregut të përbashkët janë varur se ka diçka që nuk shkon në atë proces. Kemi pasur një bashkëbisedim shumë të mirë dhe pozitiv, me mirëkuptim të plotë shumë interesant për shumë tema. Thelbi i procesit të Berlinit nuk është as në Berlin as në Bruksel por në Ballkan, në aspektin politik. Në aspektin e ecurisë së projekteve sigurisht që është në Bruksel.
Gjatë konferencës Rama u pyet dhe për zhvillimet e fundit në Tiranë pas sanksioneve nga Departamenti i Shtetit dhe Thesarit por i shmangu përgjigjet.
Rama: Pyetjeve të pafundme këtu për Tiranën nuk është vendi për tu dhënë përgjigje.
