Pandeli Majko betohet në Kuvend, merr mandatin e deputetit të lënë nga Bllako
Pandeli Majko është betuar këtë të hënë në parlament dhe ka marrë mandatin e deputetit.
Majko ka marrë mandatin e deputeti pas dorëheqjes së Alqi Bllakos i cili është arrestuar në lidhje me aferën e inceneratorëve.
Vendin e Bllakos e zuri Majko, kjo pasi sipas rregullit në Kodin Zgjedhor, ai ka marrë më shumë vota preferenciale se kandidatët e tjerë socialistë në zgjedhjet e 25 prillit vitin e kaluar.
Ish-deputeti Alqi Bllako u arrestua me urdhër të SPAK më 31 mars. Bllako, akuzohet për “Shpërdorim të detyrës” në bashkëpunim dhe “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë”. Sipas Prokurorisë së posaçme ai, në bashkëpunim me ish Ministrin e Mjedisit Lefter Koka dhe një tjetër zyrtar të Ministrisë, ku ai ka patur detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm, kanë përgatitur dokumentacion të falsifikuar në lidhje me të dhënat e pronës së shpronësuar, për ndërtimin e inceneratorit të Fierit, duke ndryshuar cilësimin nga “arë” në “tokë truall”, duke rritur vlerën e shpronësimit.
