Firmoset urdhri: Ndalohet peshkimi në Liqenin e Shkodrës
Ministrja e Bujqësisë dhe e Zhvillimit Rural firmosi ndalimin e peshkimit me çfarëdolloj mjeti dhe metode gjuetie si dhe dhe mbajtjen në bord, tranzitimin në barkë, zbarkimin e qëllimtë dhe hedhjen në treg ose për konsum të të gjitha llojeve të peshqve në liqenin e Shkodrës, nga data 1 prill 2022 deri më 31maj 2022, me përjashtim të ngjalës.
Ngjala lejohet të peshkohet vetëm me grepa nga subjektet e pajisura me leje peshkimi nga Organizata e Menaxhimit të Peshkimit të liqenit të Shkodrës, siç është parashikuar në Planin e Menaxhimit të Ngjalës. Vendimi është publikuar sot në Fletore Zyrtare.
Për periudhën dymujore të lejimit të peshkimit të ngjalës, nga ana e Organizatës së Menaxhimit të Peshkimit të Liqenit të Shkodrës të ketë monitorim të sasive ditore të peshkuara.
Po kështu ndalohet peshkimi me çfarëdolloj mjeti dhe metode gjuetie, si dhe mbajtjen në bord, tranzitimin në barkë, zbarkimin e qëllimtë dhe hedhjen në treg ose për konsum të gjuhcës (cironkës) – Alburnus Albidus Alborella në liqenin e Shkodrës, për periudhën 1 prill 2022 deri më 31 korrik 2022
Për periudhën 1.6.2022 deri më 30.6.2022, ndalimin e peshkimit me rrjeta në fashën bregliqenore prej 300 m nga bregu.
Vendbazimi i varkave të peshkimit do të jetë sipas zonave të përcaktuara nga Organizata e Menaxhimit të Peshkimit të Liqenit të Shkodrës.
Peshku i sekuestruar nga peshkimi i paligjshëm, të magazinohet në Qendrën e Parë të Ankandit të Peshkut, Shirokë dhe të ardhurat nga shitja e tij, pas dokumentimit nga Drejtoria e Shërbimeve të Peshkimit dhe Akuakulturës, të përdoren nga Organizata e Menaxhimit të Peshkimit të liqenit të Shkodrës për blerje gazoili për mjetin lundrues, që përdoret për inspektimet e kryera për ruajtjen e liqenit.
Për zbatimin e këtij urdhri, të hartohet një Plan i Përbashkët Operativ Veprimi nga Drejtoria e Shërbimeve të Peshkimit dhe Akuakulturës në koordinim me Organizatën e Menaxhimit të Peshkimit të Liqenit të Shkodrës.
Organizata e Menaxhimit të Peshkimit të Liqenit të Shkodrës duhet të marrë të gjitha masat e zhvendosjes së objekteve ku peshqit kanë lëshuar vezët, në rastet e rënies së nivelit të ujit në liqenin e Shkodrës.
Për zbatimin e këtij urdhri, ngarkohet Drejtoria e Politikave dhe Programeve të Peshkimit dhe Akuakulturës, Drejtoria e Shërbimeve të Peshkimit dhe Akuakulturës, Organizata e Menaxhimit të Peshkimit të Liqenit të Shkodrës, duke bashkëpunuar me strukturat e qeverisjes vendore, Drejtorinë e Policisë së Rendit dhe atë Kufitare në qarkun e Shkodrës.
Ky urdhër hyn në fuqi menjëherë dhe është botuar në Fletoren Zyrtare , Datë. 08/04/2022
