Invalidët pa KEMP, 67-vjeçari: Më kanë përjashtuar 5 herë sepse disponoj një shtëpi

Në pritje të marrjes së KEMP-it, qytetarët janë të detyruar të trokasin vazhdimisht në zyrat e shtetit për shkak të vonesave në shqyrtimin e dosjeve. Edhe pse një problem i vjetër zgjidhja mbetet ende e largët.

Vonesat në marrjen e KEMP-it vazhdojnë të sjellin radhë dhe pakënaqësi.

Të sëmurë, me paaftësi fizike të përkohshme apo me probleme të tjera, paraqiten me shpresën për të marrë sado pak të ardhura për mbijetesë.

Por edhe për to pritja është tejet e gjatë. Sef Behluli është një 67-vjeçar invalid, i cili prej dy vitesh nuk ka rreshtur së trokituri në zyrat e shtetit.

KEMP-i për të është domosdoshmëri.

"94 mijë lekë pension marr, as për ujë, as për drita as për asgjë nuk më dalin".

Ai pretendon se arsyeja pse KEMP-i Epror ka refuzuar për të pestën herë dhënien e këtij pensioni mujor të invalidit është disponimi i një shtëpie.

"Hahet shtëpia o zotëri? Ç’punë kam unë me shtëpinë 2 dhoma 1 kuzhinë, për këtë ma kanë refuzuar KEMP-in".

Lidhur me shqetësimet e qytetarëve KEMP-i Epror nuk ka përgjigje.

Gjithashtu, mbështetja financiare e premtuar nga qeveria prej 3 mijë lekësh të reja nuk i ka kaluar ende kësaj kategorie qytetarësh.