Xhepa: Legalizimi i kanabisit cenon sigurinë ushqimore, duhet të ndiqeshin politika për bujqësinë

Shqipëria duhet të lejojë kultivimin, përpunimin, eksportimin e kontrolluar nga shteti të kanabisit mjekësor. Lajmin bëri me dije drejtoresha e Agjencisë për Dialog dhe Bashkëqeverisje, Eridana Cano, më 7 prill.

Në një intervistë për Ora News, ekonomisti Selami Xhepa, se efektet e legalizimit të kanabisit në vendin tonë do të jenë shumë negative.

Ai tha se në vend që të ndiqeshin politika për të garantuar  sigurinë ushqimore në vend, toka e kufizuar bujqësore që ka Shqipëria do shfrytëzohet për mbjelljen e kanabisit.

Selami Xhepa: Efektet e saj ne ekonomi dhe në shoqëri do të jenë negative. Prisnim që prej dy prej goditjeve më të rënda që ka pësuar ekonomia e Shqipërisë, pandemia dhe garantimi i sigurisë ushqimore, si pasojë  e luftës në Ukrainë. Në vend që ne të prisnim se çfarë masash duhet të ndërmarrë Shqipëri, politikat që duhet të ndjekë për të garantuar sigurinë ushqimore të vendit që është pjesë thelbësore e strategjisë sonë kombëtare, dalim në një alternativë që tokën aq të kufizuar sa e kemi, në vend që të mendojmë se si ta përdorim me nacionalitet tokën bujqësore, po mendojmë se si të mbushin llullat e atyre që pinë hashash.

Teksa ka marrë si shembull Maqedoninë e Veriut, Xhepa tha se nga ky vendim i qeverisë do të përfitojnë një pjesë shumë e vogël, të cilët do të jenë biznesmenë.

Selami Xhepa: Eksperienca e vendeve të tjera që e kanë përdorur këtë, si Maqedonia e Veriut, ka treguar se efektet e saj ekonomike kanë qenë aspak pozitive, për të mos thënë që përfituesit e tyre janë një numër shumë i vogël.  

Deklarata se e do populli, më duket shumë tinëzare, hileqare dhe një mënyrë që përpiqet që t’i japë një lloj legalizimi të paramenduara nga ana e qeverisë. Shqipëria me këtë nismë do të shkojë poshtë. 

Më tej, Xhepa theksoi se legalizimi i kanabisit, cenon sigurinë ushqimore, ndërsa shton se shton se vendimi për kanabisit kërkon investime shumë të larta.

Selami Xhepa: Legalizimi i kanabisit, nuk shëndosh ekonominë e vendit. Duhet të shikojmë, se a ndikon në rritjen e të ardhurave të qytetarëve, së dyti fakti që investimi që kërkohet në këto aktivitete janë shumë të larta, duhet që kanabisi të tregtohet në formë të përpunuar, të ekstratimit, dhe kjo kërkon investimesh të mëdha e serioze. Pra vetëm një grup shumë i vogël, individësh, biznesmenësh ta bëjnë këtë. Kjo cenon sigurinë ushqimore të vendit. Duhet të kishim menduar për politika se si të rrisim produktivitetin e bujqësisë. 

Intervistoi Anila Zyberaj, përgatiti Anila Kolgjini.