Digjet makina e kryeplakut të Vermoshit

Digjet makina e kryeplakut të Vermoshit në Malësi të Madhe, Prek Vata.

Bëhet me dije se ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e të dielës, në qendër të fshatit. Makina tip "Fuoristradë" është shkrumbuar plotësisht nga flakët e zjarrit.

Vetë kryeplaku Vata, rreth 70-vjeç, thotë se djegia e mjetit ka qenë e qëllimshme. Kjo pasi, sipas tij, autori i kësaj ngjarje ka thyer fillimisht xhamat e makinës dhe më pas ka hedhur benzinë në automjet. Vetë Vata është lajmëruar nga të afërm për këtë ngjarje.

"Me datë 10.04.2022, rreth orës 23:00, jemi njoftuar nga shtetasi P.V. 74 vjeç, banues në fshatin Vermosh, Njësia Administrative Kelmend, Malësi e Madhe, se ka konstatuar të djegur mjetin e tij tip Toyota" njoftoi policia.

Nga ana e policisë vazhdojnë veprimet hetimore duke mbledhur çdo provë materiale dhe vlerësuar çdo informacion, si dhe duke bashkëpunuar ngushtë me ekspertë dhe Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër, për përcaktimin e shkakut të djegies dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes.