Katër dhunime grash brenda pak orëve, në Kukës burri i pret gishtat bashkëshortes dhe e kërcënon me vrasje
Katër raste të dhunës në familje u regjistruan gjatë 24 orëve të fundit në disa qytete të Shqipërisë. Nga Kukësi në Fier e Gjirokastër bashkëshortët kanë dhunuar fizikisht gratë e tyre, duke i prerë gishtat e kërcenuar me vrasje. Policia ka vënë në pranga autorëte këtyre ngjarjeve dhe po vijon hetimet ndaj tyre.
Katër persona kanë rënë në prangat e policisë në pak orë për shkak se kanë ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshorteve.
Në Kukës, 36-vjeçari Bylbyl Saraçi i kishte prerë gishtat me thikë bashkëshortes, dhe e kërcënonte se do të vriste ate dhe të vëllanë e saj.
Ndërhyrja e policisë ka shmangur ngjarjen, ndërsa pas arrestimit, 36-vjeçarit iu gjet edhe një armë zjarri pushkë e mbushur me fishekë dhe një thikë me të cilën dyshohet se i ka prerë gishtat bashkëshortes së tij 35-vjeçare.
Një tjetër rast u regjistrua paraditen e së hënës në Fier ku u arrestuan Selman Kumanaku dhe Vaso Zisi të dy për dhunë në familje.
Kumanaku, 52 vjeç banues në fshatin Zhupan sipas policisë kishte ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij, ndërsa ka rënë në pranga dhe është dërguar në paraburgim ku do të presë masën e sigurisë.
Dhe nga ana tjetër 56-vjeçari Vaso Zisi kishte ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes në qytetin e Fierit.
Në Gjirokastër, policia ka vënë në pranga shtetasin Petrit Llogo banues në fshatin Tërbuq.
Ai mësohet se kishte ushtruar dhunë në mënyrë të përsëritur ndaj bashkëjetueses M.B, ndërsa ka qenë kjo e fundit e cila e ka denoncuar 49-vjeçarin, i cili do të përballet me akuzën e “dhunës në familje”.
