Lutjet e udhës së kryqit, imzot Angelo Massafra: Të ndalet lufta, të rikthehet paqja!

Kisha katolike ne Shkoder organizoi udhën e Kryqit në malin e Taraboshit në përkujtim të mundimeve të Jezu Krishtit. Lutja e veçantë e imzot Angelo Massafrës, arqipeshkev i Shkodrës shkoi për popullin e  Ukrahinës, ndërsa e cilësoi atë si një luftë të pakuptimtë për egon e politikanëve.

40 ditët e krezhmeve që i paraprijnë Pashkëve, shërbejnë si periudhë pendese e lutjeje për të Krishterët.

Edhe kjo ngjitje në malin e Taraboshit me 14 ndalesat e Udhës së Kryqit, na kujtojnë jo vetëm mundimet e Jezusit, por edhe sfidat që sot ka jeta jonë, një prej të cilave është kjo që sot po përjetohet me luftën në Ukrainë dhe pasojat e saj.

"Familjet nga Ukraina që po dëbohen dita-ditës, ata që janë bombarduar, ata që vuajnë dhe rusët që vdesin për shkak të pushtetarëve që me kokëfortësi djallëzore vazhdojnë të bëjnë këtë luftë që nuk ka asnjë arsye, është një gjë e keqe që mund të evitohet me dialog, mirëkuptim dhe kompromis."

Vetë besimtarët tregojnë lutjet me të cilat marrin këtë rrugëtim, që është i ngjashëm me atë që bëri Jezusi përpara se të kryqëzohej në malin Kalvar.

"Kemi nevojë në këto ditë të vështira për besimin te Zoti."

Udha e kryqit është ritual i përvitshëm për të krishteret në mbarë botën para kremtimit të festes së Pashkës, që shenon ringjalljen, fitoren e jetës mbi vdekjen.