Kokainë nga Amerika e Jugut/ Emrat e 16 anëtarëve të grupit kriminal që drejtohej nga Ergys Dashi. Një u arrestua në Tiranë
Ora News siguron dosjen e grupit kriminal që akuzohet se trafikonte kokaine e marijuanë nga Amerika e Jugut e nga vendet ballkanike drejt Italisë, Zvicrës, Gjermanisë, Hollandës e Sllovenisë që drejtohej nga Ergys Dashi.
Ky i fundit u ekzekutua më 22 janar 2022 në një restorant të vendosur në Avenue Joaquín José Orrantia, pranë një qendre tregtare në veri të Guayaquil.
Në kuadër të shkatërrimit të këtij grupi kriminal u kryen arrestime në Shqipëri, Itali dhe në Poloni.
Në Tiranë policia njoftoi sot se arrestoi Stivi Filollin.
Korrierët paguheshin deri në 3 mijë euro, ndërkohë kushëriri i tij paguhej deri në 5 mijë euro në muaj.
Anetaret e grupit sipas prokurorise
1 -Ergys Dashi siguronte drogën, blerjen, organizonte dhe koordinonte dërgesën e kokainës nga Amerika e Jugut, nëpërmjet Holandës, në zonën e Piemontes, Itali. Merrej me menaxhimin e bazave operacionale në Itali dhe ato logjistike në Holandë – koordinonte punën e korrierëve të drogës për të arritur një fitim të konsiderueshëm ekonomik.
2- Rigels Yzeiraj konsiderohet si një figurë qëndrore në organizimin e trafikut të drogës pasi kishte vite që ishte përfshirë në qarqet parësore të trafikut të drogës. Kishte kontakt të vazhdueshëm me kreun e grupit Ergys Dashin.
Kujdesej për transportimin e sasive të konsiderueshme të drogës, udhëzonte të vëllanë Albanin. Për transportimin e drogës përdoreshin makina të blera posaçërisht në Slloveni, në emër të të tretë. Gjithashtu ishte i ngarkuar për tu kujdesur për bashkëpunëtorët që binin në burg., mblidhte shumat e parave që mbanin organizatën në momente të vështira
3- Edmond Dashi (kushëriri I Ergys Dashit). Koordinator e organizator, asistent i Ergys Dashit në menaxhimin e përcaktimin e bazave operative nga të cilat kryente shpërndarjen e drogës në veri perëndim të Italisë.
Ishte krahu i djathtë i Ergys Dashit. Ishte përgjegjës për menaxhimin dhe organizimin e dërgesave të drogës në pjesë të ndryshme të Italisë. Kushëriri i Ergysit ishte një “korrier i besueshëm” dhe prej vitesh i përkushtuar biznesit
4- Ismet Ceka Koordinues e organizator. Asistent i Ergys Dashit në shpërndarjen e lëndës narkotike në provincën e Trentos. Strehoi Edmond Dashin në shtëpinë e tij në kohën kur ishte nën arrest shtëpiak duke i lejuar të kryente aktivitet të paligjshëm. Strehonte korrierët e drogës të dërguar nga Ergys Dashi.
5- Stivi Filolli, korrier i organizatës e asistent i Ergys Dashit duke marrë pjesë personalisht në transportin e në dorëzimin e lëndës narkotike në rrjetin e klientëve në cilësinë e korrierit.
6- AHMIC Bedrana (shtetase sllovene) Organizatore. Ka kryer në mënyrë të vazhdueshme detyra me karakter administrativ e financiar. Blinte automjetet në pronësinë e tyre në emra të tretë (për të fshehur pronarin e vërtetë të tyre ) e ua besonte korrierëve të organizatës.
7- Odisea Leka, Korrier i organizatës e asistent i Ergys Dashit. Merrte pjesë personalisht në transportin e në dorëzimin e lëndës narkotike në rrjetin e klientëve në cilësinë e korrierit.
8 - Alban Yzeiraj korrier i organizatës e asistent i Ergys Dashit duke marrë pjesë personalisht në transportin e në dorëzimin e lëndës narkotike në rrjetin e klientëve në cilësinë e korrierit.
1- Astrit Bajraktari alias "Mondi" rezident në Torino
2- Mariglen Haderi, resident në Torino
3 - Rako Plaku, alias "ledi",
4- Andi Prifti, lindur në Fier,
5- Alfred Muçaj alias “Zhaku” lindur në Berat
6- Marek Michal Kowalczyk, shtetas polak
7- Marta Obara, shtetase polake
8- Saverio Girgenti shtetas Italian lindur e resident në Torino
Grupi kriminal i drejtuar prej tij menaxhonte sasi të mëdha droge që mbërrinte në Europë e një kapital financiar që garantonte strehimin e korrierëve të drogës e makinat lluksoze për transportimin e saj.
Makinat modifikoheshin në Slloveni, ndërsa banesat merreshin me qira nga persona të tretë, e përdoreshin si për strehimin e korrierëve dhe për magazinimin e lëndës narkotike. Kokaina mbërrinte nga Amerika e Jugut përmes rrugës detare në portet europiane duke përdorur teknikën rip-off.
Hetimet investigative të antidrogës e të antimafias italiane të qytetit të Torinos të shtrira në territorin kombëtar dhe në shtetet Shqipëri, Ekuador, Slloveni, Polonia, Gjermani, e Zvicër kanë çuar në shkatërrimin e një grupi trafikantësh droge të akuzuar për trafikun e një sasie lëndësh narkotike me vlerë rreth 4.5 milionë euro.
