U rrëzua në “Kanionet e Gjipesë”, mjekohet dhe nxirret nga gremina me barrelë turisti polak
Turisti polak që ra në një greminë në “Kanionet e Gjipesë” ka marrë ndihmën mjekësore dhe më pas është transportuar nga aty me barrelë deri në rrugën kryesore për tu nisur drejt spitalit.
Një infermier së bashku me një alpinist, forca zjarrfikëse dhe të policisë kanë zbritur në vendin ku ai ishte bllokuar.
Turisti ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore.
"Në lidhje me informacionin paraprak të datës 08.04.2022, ku në Sallën e Komandës dhe të Kontrollit në DVP Vlorë, ka ardhur një telefonatë nga një turist, shtetas polak, A. P., 24 vjeç, i cili kishte kërkuar ndihmën e Policisë, pasi ishte rrëzuar në vendin e quajtur “Kanionet e Gjipesë” dhe kishte pësuar frakturë në njërën këmbë, sqarojmë se:Menjëherë në drejtim të tij u nisën shërbimet e Policisë Himarë, MNZ Himarë, Delta Forca, një mjet i Urgjencës Mjekësore, si dhe alpinisti Kosta Xhaho.Pas një pune profesionale në kushte të larta të rrezikshmërisë për jetën, për shkak të terrenit mjaft të vështirë, dhe duke treguar kujdes që turisti të mos dëmtohej më shumë, paraditen e sotme, u bë e mundur nxjerrja e shtetasit polak dhe transportimi i tij për ndihmë mjekësore. Shtetasi polak A. P. është aktualisht jashtë rrezikut për jetën".
Operacioni për shpëtimin e tij nisi që dje. Sipas policisë, turisti polak u bllokua që prej orës 13:30 të ditës së premte. Ai u rrëzua në një greminë ku pësoi frakturë në këmbë.
Njoftimi i policisë dje:
Më datë 08.04.2022, rreth orës 13:30, në Sallen e Komandës dhe Kontrollit DVP Vlorë, është marrë një telefonatë nga një shtetas Polak, turist, i cili ka kërkuar ndihmën e Policisë, pasi ishte rrëzuar në vendin e quajtur “Kanionet e Gjipesë” dhe ka pësuar frakturë në një këmbë.
Menjëherë në drejtim të tij janë nisur shërbimet e Policisë Himarë, MNZ Himarë dhe një mjet i Urgjencës Mjekësore.
Gjithashtu janë nisur forca policie më të specializuara, konkretisht Delta Forcë, pasi terreni ku ka mbetur turisti polak është shumë i vështirë.

