Shqipëria krah Ukrainës/ Manifestim në Tiranë kundër agresionit të Rusisë, fëmijët gjuajnë ndaj Putin
Janë të vegjël por e njohin imazhin e njeriut që mbolli luftë në atdheun e tyre. Putinin e ndëshkojnë në mënyrën e tyre fëmijërore.
Kevin, më i rritur në moshë, prej tre javësh jeton në Shqipëri. Këtu ndihet i sigurt por frikësohet për jetën e familjarëve të cilët ndodhen ende në Ukrainë.
“Për momentin familja ime është e sigurt por kjo mund të ndryshojë. Shpresoj që lufta të mbarojë sa më shpejtë, sepse njerëzit po humbin jetën."
Për të dënuar agresionin rus, ukrainas dhe shqiptarë u bënë bashkë në një manifestim të organizuar ditën e premte në Tiranë.
Flamuj e pankarta në mbështetje të Kievit.
Të rinjtë e strehuar në Shqipëri shpresojnë që lufta të marrë fund sa më parë dhe të rikthehen në shtëpitë e tyre.
“Dua të shkojë në shtëpi, të shkojë në shkollë sërish. Njerëzit në Ukrainë janë të shkatërruar, fëmijët po vdesin çdo ditë."
“Më mungon qyteti, miqtë familjarët, flas me ta çdo ditë. Janë mirë por kam frikë.”
Tatjana tregon së në Kiev ka të atin dhe të fejuarin. Të dy po luftojnë kundër forcave ruse. Çdo ditë jeton me frikën se mund t`i humbasë.
“Është e rëndësishme për mua të di që ata janë gjallë, jam e frikësuar për ta. Ata janë në rrezik.”
Të tjerë nuk i mbajnë dot lotët kur kujtojnë vendin e tyre në luftë.
“Të ndalet lufta.”
Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës Juri Kim tha se Putin nuk i bëri mirë llogaritë kur nisi pushtimin.
“Populli shqiptar e di shumë mirë se çfarë do të thotë, që dikush të të mohojë ekzistencën tënde, kur dikush vjen kundër jush.”- tha Kim.
Ambasadori i Ukrainës, Volodymyr Shkurov, bëri thirrje për më shumë sanksione ndaj Rusisë.
“Edhe njëherë i bëj thirrje të gjithë botës së qytetëruar që të bëj gjithçka që është e mundur për të transferuar në Ukrainë, armët e nevojshme, për të vendosur sanksionet më të rënda të mundshme.”
Përmes një videomesazhi Vitali Klitschko, Kryetar i Bashkisë Kiev, vlerësoi mbështetjen e Shqipërisë.
“Së pari dua t’ju falenderoj për strehimin e refugjatëve nga Ukraina, sidomos të fëmijëve tanë.”
Në përfundim të manifestimit fëmijët lanë pranë Ambasadës së Ukrainës në Tiranë vizatime e pankarta me ëndrrën e madhe se këtë flamur verdh e blu do të mund ta valvisin të lirë në atdheun e tyre.







