Policia i gjen arsenal armësh në shtëpi, arrestohet 38-vjeçari në Tiranë, shpallet në kërkim xhaxhai

Policia e Tiranës ka zbuluar një arsenal armësh në shtëpinë e një 38-vjeçari në rrugën  "Bajram Cela."

Blutë bëjnë me dije se 38-vjeçari E.M është arrestuar ndërsa është shpallur në kërkim xhaxhai i tij për moskallëzim krimi.

Çfarë u gjet 

Gjatë kontrollit të banesës së shtetasit E. M., në rrugën "Bajram Cela", shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, një armë gjahu shotgun, tre armë zjarri pistoleta me mulli, një pushkë sportive, tre armë antike, një krehër me municion luftarak, shtatë shpata antike, dy thika, një palë dylbi ushtarake dhe një armë zjarri "Sharrs", të cilën shtetasi E. M., e kishte fshehur në garazhin në pronësi të xhaxhait të tij, shtetasit A. M.

Arrestimi 

Në kuadër të operacionit "Vila" u arrestua E. M., 38 vjeç, banues në rrugën "Bajram Cela", për veprat penale "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit", "Prodhimi, mbajtja, blerja, apo shitja pa leje e armëve të ftohta" dhe "Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive" dhe u shpall në kërkim A. M., 58 vjeç, xhaxhai i shtetasit E. M., për veprën penale "Moskallëzimi i krimit", bën me dije policia.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.