Kongresi i PS: Rama mbledh sot ministra e deputetë tek "Vila 30", nesër shkarkon 61 kryetarë socialistë

Kryeministri Edi Rama ditën e sotme do të zhvillojë një takim me ministrat dhe deputetët tek "Vila 30."
Takimi vjen një ditë para Kongresit të PS i cili do të mbahet ditën e nesërme, 9 prill në Pallatin e Kongreseve.
Nuk dihet se cila është arsyeja e takimit të sotëm të kreut të PS me kabinetin e tij.
Takimi i nesërm i socialistëve do të ndahet në disa panele, si situata në Ukrainë, energjetika, shëndetësia apo kushtet sociale.
Gazetarja Fjorela Beleshi bën me dije se kryesocialisti Edi Rama do të zhvillojë takime gjatë gjithë ditës së sotme.
Kongresi i nesërm pritet të fillojnë nesër në orën 11:00 ku disa prej ministrave dhe deputetëve do ndahen në grupe për tu vendosur në sheshet kryesore të kryeqytetit për të diskutuar për çështje që lidhjen me analizën e qeverisë. Më pas punimet do të zhvendosen në Pallatin e Kongreseve. Kongresin do ta hapë Sekretari i Përgjithshëm Damian Gjiknuri dhe më pas do jetë ministrja Spiropali që do bëjë publike punimet dhe rezultatet e Këshillimit Kombëtar.
Çështjet e tjera kanë të bëjnë dhe me punët e PS-së dhe pritet të miratohen ndryshime në Statut. Do të ketë një shtim strukture në administratë pasi në 61 bashkitë e vendit do të ketë një sekretar administrativ i cili do të merret me çështjet administrative. Ditën e nesërme Rama pritet të shkarkojë 61 kryetarët e PS në çdo bashki.
Në fokus do të jetë Tirana, pasi kryeqyteti nuk ka një kryetar dhe këtë detyrë e ka mbajtur i komanduari Erion Veliaj, kryebashkiaku i Tiranës. Këta kryetarë do kenë mundësi për të hyrë në garë dhe për tu rizgjedhur deri më 15 qershor.
