Katër ditë kërkime pa asnjë rezultat, 10-vjeçari vijon të jetë i zhdukur në ujërat e lumit Fan

Kërkimet për 10-vjeçarin e rënë në lumin Fan të Mirditës nuk kanë dhënë ende asnjë rezultat pavarësisht se ato kanë hyrë në ditën e katërt të tyre. Forca të shumta të palombarëve dhe banorëve të zonës janë duke kërkuar në rrjedhën e lumit Fan por deri më tani nuk janë konstatuar ende shenjat e të miturit që ra në lumë teksa po luante me top.

Palombarët, të mbështetur nga policia e Mirditës, Shërbimi Zjarrfikës dhe banor të zonës, vijojnë kërkimet në ditën e katërt për gjetjen e trupit të 10-vjeçarit që u mor nga rrjedha e lumit Fan në Mirditë, teksa ishte duke luajtur futboll me shokët.

 Në ditën e tretë të operacionit, në kërkime janë angazhuar 14 palombarë, të Forcave RENEA, të cilët kanë krehur një gjatësi konsiderueshme të lumit Fan nga vendi ku është mbytur i mituri e deri në Reps.

Kërkime po bëhen edhe në HEC-in e Repsit, por deri tani nuk është arritur të bien në gjurmët e 10-vjeçarit. Së fundmi ka dyshime se trupi i vogëlushit mund të ketë ngecur në një urë të prishur disa kilometra larg vendit ku u mor nga rrjedha e ujit.

Për të parë aty, trupat e kërkim-shpëtimit janë duke devijuar rrjedhën e Lumit Fan, pasi në vend janë mbledhur shumë mbetje të tjera dhe e bëjnë të pamundur kërkimin.

S. Laska u mbyt në ujerat e Lumit Fan në Mirditë, pasditen e së martës, 5 prill teksa po luante me top bashkë me të vëllanë dhe bashkëmoshatar të tjerë.

Në një moment topi ju ka rënë në lum, dhe vogëlushi ka vepruar për ta marrë, por është përpirë nga rrjedha e fortë e lumit. Ngjarja mund të merrte përmasa edhe më tragjike, pasi në tentative për të shpëtuar 10-vjeçarin, rrezikoi jetën dhe i vëllai 3 vite më i madh.