Lojëra fati të paligjshme në lokal, arrestohet 52-vjeçari në Durrës

Policia e Durrësit ka goditur një rast të organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit dhe ka arrestuar një 52-vjeçar.

Sipas bluve të Durrësit,  në vijimin të operacionit policor të koduar “Fati i lojërave”, u arrestua në flagrancë shtetasi G. K., 52 vjeç, banues në Sukth, Durrës.

Arrestimi i tij u bë për veprat penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin” dhe “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”.

Bazuar në informacionet e marra në rrugë operative, specialistët për Hetimin e  Krimit në Stacionin e Policisë Manzë, kanë ushtruar kontroll në lokalin e këtij shtetasi dhe kanë sekuestruar, në cilësinë e provës materiale, një laptop, i cili përdorej për vënie bastesh në mënyrë të kundërligjshme.

Vijon puna për evidentimin dhe goditjen e rasteve të tjera të veprimtarisë së paligjshme në fushën e organizimit të lojërave të fatit.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.