Vokshi akuzon ministrinë e Arsimit se ka nxjerrë tezën e provimit për vlerësimin e mësuesve. Kushi: Provo akuzat dhe largohem
Deputetja Albana Vokshi ka denoncuar Ministrinë e Arsimit se ka publikuar tezën e provimit për vlerësimin e mësuesve në arsimin parauniversitar.
Provimi do të zhvillohet ditën e sotme në orën 14:00 në shkollën "Sabaudin Gabrani."
Vokshi ka postuar një mesazh të cilin sipas saj ja ka dërguar një mësuese dhe akuzon ministrinë e Arsimit se kanë publikuar pyetjet.
"Skandali!!
Mësuesja në Elbasan denoncon #skandalin me provimin e Vlerësuesve të Arsimit Parauniversitar që do të zhvillohet sot në orën 14.00 në Tiranë në shkollën Sabaudin Gabrani.
Dalin pyetjet me porosi të Ministres Evis Kushi që të certifikohen të njohurit e Ministres dhe militantet e partisë…..
Ky është “vetëreformimi” në arsim për të cilin foli Kryeministri Rama dje në Asamblenë e PS…"
Ministja Kushi ka mohuar akuzat dhe me anë të një postimi në Facebook sfidon vokshin të provojë akuzat. Madje Kushi shprehet e gatshme të lërë postin nëse këto akuza provohen.
"Sfidoj deputeten Albana Vokshi që të provojë akuzat e saj në lidhje me ndërhyrjen time apo të stafit tim në procese testimi dhe vlerësimi të mësuesve.
Unë që sot largohem nga detyra nëse ajo i provon akuzat, por, në të kundërt, deputetja do të mbajë përgjegjësi morale dhe ligjore për shpifje.
Që sot do të depozitoj padinë në gjykatë. Qytetarët nuk mund të helmohen çdo ditë me shpifje. Është turp dhe e pafalshme që, për qëllime politike, të shpërdorohet besimi i qytetarëve nga karrigia e deputetit, duke sajuar akuza që cënojnë besueshmërinë dhe nxitin pasiguri te mësuesit dhe nxënësit për proceset vlerësuese në sistemin arsimor.
Të dashur mësues, ne do të vazhdojmë çdo ditë të punojmë së bashku për të përmirësuar më tej sistemin tonë arsimor, duke mos u dekurajuar nga asnjë sulm politik.
Të dashur nxënës, ne bëjmë çdo ditë e më shumë përpjekje për të garantuar barazi, transparencë dhe meritokraci në vlerësimin e arritjeve tuaja."