Zhduket krye-sekretarja e Gjykatës së Lezhës, bashkëshorti bën denoncimin në polici
Krye-sekretarja e Gjykatës së Lezhës, Klaudia Marku, 34 vjeçe nënë e dy fëmijëve është zhdukur në mënyrë misterioze. Ka qenë bashkëshorti që ka bërë denoncimin në polici, ku grupi hetimor nuk përjashton asnjë pistë.
Klaudia Marku, krye-sekretare e Gjykatës së Lezhës është zhdukur në mënyrë misterioze.
34-vjeçarja nuk dihet se ku ndodhet duke ngritur alarm.
Ka qenë bashkëjetuesi i nënës së dy fëmijëve, që ka denoncuar në polici mbrëmjen e së mërkurës largimin e saj nga banesa.
38-vjeçari që mësohet se është pjesë e policisë kufitare mësohet të ketë deklaruar se ajo kishte dalë nga shtëpia dhe nuk ishte kthyer më.
Ai ka deklaruar se ka tentuar të komunikojë me të por, pa rezultat.
Telefoni i 34-vjeçares Marku rezulton i hapur, thonë burimet por askush nuk përgjigjet.
Pas kallëzimit, policia e Lezhës thotë se është vënë në lëvizje.
Krye-sekretarja e Gjykatës e zhdukur pa gjurmë është shpallur në kërkim, ndërsa rasti po verifikohet.
Hetimet mësohet se janë shtrirë në disa pista.
Dyshimet janë se 34-vjeçarja është larguar për shkak të problemeve familjare.
Ndaj bashkëjetuesi efektiv policie është mbajtur për disa orë në Komisariatin e Lezhës.
Në pyetje ndërkohë mësohet se janë marrë edhe familjarë të 34-vjeçares dhe burrit.
Por nuk përjashtohen as pista të tjera përfshirë edhe ato të lidhura me detyrën.
Klaudia Marku punonte prej vitesh në gjykatën e Lezhës, ndërsa së fundmi kishte fituar një vend pune si OPGJ në Prokurorinë e Lezhës ku pritet të transferohej brenda pak ditësh.
