I shpallur në kërkim për prodhim dhe shitje të narkotikëve, arrestohet 29-vjeçari në Sarandë

Një 29-vjeçar i shpallur në kërkim për prodhimin dhe shitjen e lëndëve narkotike është arrestuar nga policia e Sarandës.

Blutë në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, për vendndodhjen e një shtetasi të shpallur në kërkim finalizuan operacionin "Volloder" në kuadër të të cilit u arrestua K. O., 29 vjeç, banues në lagjen "Gjashtë", Sarandë.

29-vjeçarit Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë i ka caktuar masën e sigurimit personal “Arrest në burg”, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve", "Kultivim i bimëve narkotike” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike”.

Shtetasi K. O. ishte shpallur në kërkim, pasi në fshatin Nivicë, Sarandë, i kishte dhënë me qira një magazinë, shtetasit K. M., i cili e kishte përshtatur atë si një ambient për kultivimin në kushte laboratorike të bimëve narkotike cannabis sativa.

Po vijon puna për kapjen e shtetasit K.M ndërsa materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.