Çmontohet banda e trafikut ndërkombëtar të kokainës në Itali, në pranga shqiptarë, polakë e italianë

Policia italiane ka goditur në qytetin e Torinos një rrjet trafiku duke sekuestruar 80 kilogramë kokainë me vlerë 5 milionë euro. Në pranga kanë rënë 11 persona të akuzuar si anëtarë të grupit kriminal që ishte drejtuar nga shqiptari Ergys Dashi i vrarë me dy plumba në kokë në Ekuador në janar të këtij viti.

Policia italiane sekuestroi në qytetin e Torinos 80 kilogramë kokainë me vlerë tregu rreth 5 milionë euro në një operacion kundër rrjetit ku bënte pjesë edhe shqiptari Ergys Dashi i ekzekutuar më 22 janar në Guayaquil të Ekuadorit.

Viktima konsiderohej si kapo i grupit të 11 trafikantëve të arrestuar gjatë operacionit të policisë italiane e cila ka prangosur italianë, shqiptarë e polakë. Shqiptari i vrarë në Ekuador ishte kreu i një grupi që trafikonte kokaine e marijuanë nga Amerika e Jugut e nga vendet ballkanike drejt Italisë, Zvicrës, Gjermanisë, Hollandës e Sllovenisë.

Ekzekutimi i shqiptarit Ergys Dashi me dy plumba në fytyrë, në një restorant të Guayaquil, dyshohet se ka lidhje me narkotrafikun ndërkombëtar.

Grupi kriminal i drejtuar prej tij menaxhonte sasi të mëdha droge që mbërrinte në Europë përmes makinave luksoze që modifikoheshin në Slloveni.

Kokaina mbërrinte nga Amerika e Jugut përmes rrugës detare në portet europiane duke përdorur teknikën rip-off. Hetimet janë shtrirë në disa shtete si Shqipëri, Ekuador, Slloveni,  Polonia, Gjermani, e Zvicër ku besohet se kanë qëndruar korrierët që transportonin lëndën narkotike.

Në bashkëpunim me Eurojust e me autoritetet e drejtësisë sllovene janë kryer 30 kontrolle banesash, ku kanë qëndruar korrierët e drogës që udhëtonin me makina të modifikuara për të fshehur lëndën narkotike.

Për kokainën përdorej rruga atlantike ndërsa marijuana lëvizte në vendet ballkanike.

Pas mbërritjes në Itali droga tregtohej në veri të vendit dhe në territorin holandez, slloven, zviceran e gjerman. Hetimet ndaj këtij rrjeti kanë nisur më vitin 2017 pas arrestimit të disa korrierëve të lëndës narkotike. Anëtarët e rrjetit sipas hetuesve, përdornin platformë komunikimi në internet me qëllim shmangien e përgjimeve nga policia.