Kultivonin 950 rrënjë kanabis nën “petkun” e fermerit, zbulohen 10 serra hashashi në Thumanë
10 sera ku po kultivoheshin 925 fidanë bimë narkotike,të dyshuara kanabis Sativa janë zbuluar në fshatin Shkozë-Bardhë të Krujës. Punëtori i hashashit dhe një i moshuar përfunduan në pranga, ndërsa një i ri që dyshohet organizator shpëtoi.
Në pamje te parë jepnin idenë se i ishin përkushtuar bujqësisë.
Në oborrin e familjes Ferhati në fshatin Shkozë Bardhë të Krujës ishin ngritur 10 sera.
Brenda tyre nuk rriteshin domate e tranguj.
Plasmasi i bardhë ishte vetëm për mbulim të bimëve narkotike.
Kur policia ndërhyri në zonë, Klisman Lika, 32 vjeç nga Gjormi i Kurbinit u kap në sera duke i shërbyer kanabisit.
Në pranga përfundoi edhe 68 vjeçari Qemal Ferhati, pronar i tokës.
Ndërsa i biri Ardit Ferhati, 36 vjeç, që dyshohet edhe organizator i veprimtarisë i shpëtoi arrestimit dhe tashmë është në kërkim.
925 fidanë të dyshuar narkotike cannabis sativa u numëruan duke u kultivuar në fazë të ndryshme brenda 10 serave.
Bima narkotike u shkul dhe u dogj.
Në banesën e familjes Ferhati u gjet dhe një sasi fare kanabisi, një lidhje e paligjshme energjie dhe një armë gjahu që u sekuestruan.
Serat janë metoda e vjetër e kultivimit të kanabisit, ndërsa shtëpitë e barit janë kthyer në trend.
29-vjeçari Klodian Omeri person në kërkim u arrestua për ngritjen e një laboratori të rritjes së bimëve narkotike në Nivicë të Sarandës.
Atje u kapën 100 bimë kanabisi që rriteshin me 50 llamba elektrike në bodrumin e një objekti.
Për këtë veprimtari Klodian Omeri dyshohet se bashkëpunonte me Klajdi Mizirin i cili mbetet në kërkim nga Policia.
Ndërsa në pranga më herët përfunduan dy elektricistë.
Të ashtuquajturat shtëpi bari janë kthye në metodë kryesore e kultivimit të bimëve narkotike, krahas serave dhe parcelave të vogla në zonat e thella malore.



