Kuko: PS të fokusohet te organizimi partiak. Partitë politike duhet të kenë mekanizmin e vetëpastrimit
Asambleja e socialistëve e ka zhvilluar online mbledhjen për përgatitjen e Kongresit të PS në 9 prill.
Ndërkohë sekretarja për marrëdhëniet me jashtë, njëkohësisht dhe zv.ministre e Brendshme, Romina Kuko në një intervistë për Ora Neës, me gazetarin Everest Dedaj, tha se debatet në Asamble ishin të qenësishme, ndërsa u shteruan dhe pikat që do të diskutohen përsa i përket statutit.
Ndër të tjera ajo u shpreh se PS duhet të rikthej fokusin te organizimi partiak dhe organizimi i forumeve.
Romina Kuko: Debatet në Asamble ishin shumë të qenësishme dhe në mendimin tonë u shteruan dhe ato pika që do duhet të diskutoheshin për sa i përket statutit.
PS tani do të duhet që të rikthej fokusin në atë që është platforma kryesore që më pas çon në qeverisje që është organizimi partiak dhe organizimi forumeve. Qëllimi i riorganizimit ka të bëjë me forcimin e pjesës së lidershipit të partisë në territor, pra me kryetarët e partisë. Ky vendim do të miratohet me ndryshimet statutore ka të bëjë me përmirësimin e punës, organizative në terren. Ajo që duhet thënë është se kryetarët në rrethe, mund të rikandidojnë sërish për pozicionin e tyre.
E pyetur për ndryshimet që duhet të bëjë PS në mandatin e tretë, duke qenë se Lefter Koka, dhe Alqi Bllako janë prapa hekurave, pasi janë të përfshirë në aferën e incineratorëve, Kuko tha:
Do të duhet të hapet një diskutim i gjerë në të gjithë spektrin politik, kur vjen puna për pjesën e përgjegjësive. Është e rëndësishme që partitë politike të kenë mekanizmin e vetëpastrimit. Ky mekanizëm funksionon vetëm atëherë kur një forcë politike nuk bëhet mburojë për anëtarët vet të cilët mund të mbajnë pozicione të ndryshme. Organizimi partiak, të ketë mundësinë dhe mekanizmin e vetëpastrimit dhe lënies së drejtësisë të bëjë punën e vet.
