Bumçi: Ishim në krizë se s’njihej vullneti i demokratëve, mbështetja për Berishën s’është kriter për të qenë pjesë e PD

Anëtari i Komisionit të Rithemelimit Aldo Bumçi, tha se qëllimi kryesor i tyre është bashkimi i demokratëve. Në një intervistë për Ora News, me gazetarin Everest Dedaj, Bumçi u shpreh se është i rëndësishëm bashkimi i opozitës, pasi vendi ndodhet në krizë, ndërkohë që nga buxheti i shtetit paguhen persona të cilët kanë lidhje me aferën e incineratorëve.

Aldo Bumçi: Bashkimi është qëllimi ynë kryesor dhe kjo  nuk ka të bëjë fare me vendim Gjykate apo zbardhje. Ne e shtyjmë Kuvendin për 50 ditë për ata që duan t’I bashkohen PD. Ne jemi në fazën e seksioneve dhe grup-seksioneve.

Ai tha se situata brenda partisë së PD duhet të marrë  fund, pasi kjo gjë i shërben vetëm Ramës.

Aldo Bumçi: Ne kemi dy arsye madhore politike se përse duhet të bashkohemi: Rama e ka futur Shqipërinë në një krizë të thellë, me rritjen marramendëse të çmimeve, ndërkohë kemi dhe skandalin më të madh të 30 viteve demokraci të incineratorëve, që vazhdojnë dhe u paguajnë lekë atyre që janë në kërkim dhe nuk përdoren për të zbutur varfërinë. Ne duhet të ishim duke i prirë protestave, por nuk na lejon  situata institucionale. Ne nuk mund ta mbajmë këtë parti në këtë gjendje pezull sepse kjo ndihmon Ramën. Ne në fund të këtij viti duhet të dalim me emrat e kandidatëve për zgjedhjet vendore.

Ai ka komentuar dhe zgjedhjet e 6 marsit, duke thënë se pas kësaj date duhet të kishin marrë fund të gjithë debatet në parti.

Aldo Bumçi: Kur doli rezultati i 6 marsit që duhet të ishte fundi i çdo debati, Basha nuk e dha dorëheqjen, ndërkohë një pjesë e kryetarëve, i thanë mos e jep dorëheqjen.

Teksa ka folur për Kuvendin Kombëtar të PD,  që do të mbahet më 30 prill, Bumçi u shpreh se kjo ditë do të jetë një hap për të ngritur partinë.

Aldo Bumçi: Projekti i ngritjes së një parti nuk është një moment, nuk është një zgjedhje, është procesi. Askush të mos mendoj se me 30 prill, përfundon procesi  ngritjes së PD, jo nuk përfundon, por hidhet një hap për të ngritur një institucion. Kam besim që pas 1 viti, kur të vijnë zgjedhjet lokale, do të jemi  një parti, jo vetëm e konsiliduar, por do kemi  dhënë modelin e një parti të madhe të hapur, që të ketë shpresë për qytetarët shqiptarë.

Sipas Bumçit arsyeja se përse PD ishte në krizë, është se nuk njihej vullneti i demokratëve.

Aldo Bumçi: Ne si parti ishim në krizë se nuk njihej vullneti i demokratëve.  Ndaj kemi vendosur disa rregulla që e bëjnë këtë parti të madhe. Kemi vendosur që të jetë anëtarësia me një peshë shumë të madhe me përcaktimin e kandidatëve, të njohim fraksionet, largimin  e kryetarit kur humb zgjedhjet, pra të gjitha këto janë rregulla për ta bërë parti të madhe.

Për Ora News, ai u shpreh se gjërat do të kishin avancuar nëse do të ishte njohur Kuvendi i 11 dhjetorit i thirrur nga Sali Berisha.

Aldo Bumçi: Sot gjërat do të kishin avancuar shumë më shpejt nëse do ishte njohur Kuvendi i 11 dhjetorit. Nuk do ishim këtu, por në një parti të rithemeluar. Pavarësisht kësaj jemi në një moment ku demokratët po bashkohen. Nuk është kriter që duhet të jesh pro Berishës për të qenë në PD, por nuk mund të kesh një qasje përjashtuese. Kriza e brendshme  na ka tërhequr vëmendjen nga çështja e incineratorëve, duhet të ishim shumë më të zëshëm. Ne nuk duhet të mbajmë gjallë një konflikt artificial brenda PD.

Përgatiti Anila Kolgjini.