Situata në PD, Zaimi: Do ishte më mirë zgjedhje të brendshme sesa një proces gjyqësor

Marrja e drejtimit të PD-së tashmë është futur në proces ligjor. Kryetari i komanduar i PD-së Alibeaj dorëzoi këtë të hënë ankimimin në Gjykatën e Apelit të Tiranës, ku kërkon prishjen e vendimit të gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, më 25 mars 2022, që njohu Statutin e miratuar në Kuvendin e 11 Dhjetorit, thirrur nga Sali Berisha.

Komisioni i Rithemilimit nga ana tjetër e kundërshton, duke theksuar se  Enkelejd Alibeaj është shkarkuar nga posti i nënkryetarit të PD dhe nuk e përfaqëson partinë në asnjë marrëdhënie me të tretët.

Politologu, Arbër Zaimi, në një intervistë për Rtv Ora me gazetarin Sebastian Zonja, thotë se zgjidhja për këtë situatë do të ishin zgjedhjet e brendshme pasi një proces gjyqësor vetëm sa rrit pakënaqësitë dhe thellon ndarjen.

Zaimi: Është e shëndetshme që problemet e brendshme të PD të zgjidhen nga organet e brendshme të PD. Do të ishte më mirë për gjithë publikun që të kishte zgjedhje të brendshme dhe të pakontestuara nga palët sesa një proces gjyqësor që përfshin palë të tjera për shkak se jo vetëm nuk i jep pranueshmëri procesit por lë gjithmonë pakënaqësi që rezultojnë në çarje dhe ndarje. Shoh me njëfarë pakënaqësie që kjo ka rezultuar në një dobësim të opozitës dhe ndoshta dhe dëshpërim të disa pjesëve të opozitës. E shoh të panevojshme dhe të papranueshme që të ketë pjesë të opozitës në Shqipëri, të cilat identifikohen afër me politikat e zotit Trump apo bashkëpunëtorëve të tij.

Apo e shoh të panevojshme për situatën që po kalon Europa të ketë pjesë të së djathtës që përpiqen të asociohen me presidentin Orban të Hungarisë. Çështja është që këta fitues si pozicionohen me kombin tonë. Orban menjëherë pas zgjedhjeve tha fitova kundër Brukselit, Zelenskyt. Ai sot e gjeti ditën për ta qortuar presidentin e Ukrainës nën pushtim.Secila parti ka të drejtë të mbajë qëndrime por unë e shoh si shqetësuese për projektin politik dhe projektin kombëtar shqiptar. Shqiptarët nuk e kanë luksin të kenë një marrëdhënie multivektorale me Kinën dhe Rusinë. Në rajonin tonë Kina, Rusia etj kanë luajtur një rol negativ ndaj shqiptarëve dhe mbështesin Serbinë e cila ushqen ndjenjën e revanshit dhe e thonë hapur se e presin ditën për tu kthyer aty ku ishin. Shqiptarët duhet të kenë një politikë të orientuar qartazi kah Brukseli dhe Uashingtoni.

Nga ana tjetër ai vlerëson rolin e Partisë Demokratike, qoftë Berishës apo dhe Bashës me grupin e tij që e mbështet, në denoncimin e aferave të korrupsionit të qeverisë që sipas tij kanë rezultuar të suksesshme në arrestimin e zyrtarëve të lartë.

Zaimi: Korrupsioni është çështja më shqetësuese që duhet të ishte thelbi i debatit politik ditor dhe është. Dua të shpreh njëfarë simpatie dhe mbështetje për faktin se opozita, qoftë Berisha, qoftë Basha dhe grupi që e pason atë kanë ngritur çështje të korrupsionit të qeverisë të mandatit të tretë Rama por dhe mandatet e mëparshme dhe i kanë ngritur me sukses sepse çështjet janë bërë publike dhe kanë filluar të japin efekte në arrestime apo në hetime të disa zyrtarë të lartë si deputetë dhe ministra. Flasim për korrupsion, trafiqe të drogës dhe krime të tilla. Janë elementë shumë të rëndësishme për të qenë pjesë e diskutimit publik sepse janë të lidhura me ekonominë e përditshme të qytetarëve, arsyeja pse shumë qytetarë në Shqipëri vuajnë një varfëri të skajshme dhe Shqipëria edhe pse përparon ekonomikisht ky përparim nuk shkon në përmirësim të jetës së qytetarëve arsyeja kryesore është korrupsioni. Korrupsioni është dhe çështje e sigurisë kombëtare dhe gjeopolitike.