Basha me “Foltore”, Pollo: E pashë me trishtim në Shkodër, kush jep dorëheqjen duhet të heshtë
Ish-deputeti Genc Pollo, u shpreh se Lulzim Basha duhet të kishte dhënë dorëheqjen që më 26 prill të 2021, pas humbjes së zgjedhjeve.
Në një intervistë për Ora News, Pollo u shpreh se interesi publik kërkon një opozitë të bashkuar, ndërsa thekson se tashmë pas krizës është koha për bashkim.
Genc Pollo: Unë shpresoj që kjo fazë e pakëndshme por edhe e nevojshme e PD është kapërcyer. Dorëheqja e Bashës do të kishte qenë shumë normale nëse do të jepte dorëheqjen më 26 prill. Interesi publik kërkon një opozitë të bashkuar dhe të fortë. Tani që është kaluar momenti i vështirë, është koha për bashkim dhe shpresoj që grupi parlamentar ta gjejë formën brenda një kornize të gjerë që është PD e rithemeluar.
Teksa ka komentuar lëvizjen e Bashës, i cili ka nisur takimet me demokratët, tha se ky i fundit pas dorëheqjes duhet të qëndrojë në heshtje.
Genc Pollo: Kush jep dorëheqjen duhet të qëndrojë në heshtje për të lënë të tjerët që të veprojnë sepse përndryshe dorëheqja nuk ka kuptim. Dorëheqja duhet të kishte ndodhur më parë. Duhet të merremi me organizimin e opozitës e cila duhet të balancojë pushtetin e mbi-fryrë dhe super-abuziv.
I pyetur se çfarë po përpiqet të bëjë Basha, Pollo tha: E pashë me trishtim në Shkodër, kur tha që kanë ankimuar vendimin Gjykatës, çfarë synon me këtë?
Vendimi i Gjykatës ishte një njohje i një realiteti botërisht e pranuar në PD. PD duhet t’i lërë cic micet brenda vetes. Duhet të bëjë rolin e saj në parlament, të bëjë rolin e saj në forma të ndryshme.
Intervistoi Siklajda Shorja, përgatiti Anila Kolgjini.
