Kujdes, Zoti u ruajt! Orteqe balte dhe bore në Rrugën e Abrit dhe drejt Thethit
Orteqet e baltës dhe borës në rrugën e Abrit dhe drejt Thethit në Shkodër e bëjnë të rrezikshëm qarkullimin në këto dy akse. Të dielën në këto segmente pati rrëshqitje masive që mbeten kërcënuese për jetën e udhëtarëve.Të qarkullosh në një pjesë të rrugës së Abrit prej kësaj të hënë është e rrezikshme. Një pjesë e një kodre pranë tunelit të Murrizit që rreshqiti të dielën kërcënon të prodhojë tragjedi.
Të kalosh në këtë pjesë të rrugës së Abrit është bërë e rrezikshme.
Kjo kodër pranë tunelit të Murrizit u shemb të dielën, duke bllokuar qarkullimin për gati 20 orë.
Rruga u hap mëngjesin e të hënës (4 prill), pasi firma kontraktore largoi baltën por nuk ndërmori asnjë masë tjetër.
Deri më tani ka kushtuar më shumë se 40 milionë euro, ndërsa së fundmi janë kërkuar edhe 20 milionë euro të tjera.
Drejtuesit e mjeteve hedhin akuza ndaj ndërtuesve dhe qeverisë që e propaganduan si shpëtim për Dibrën rrugën që sot rrezikon të shkaktojë tragjedi njerëzore.
"Do shembet nëse se pastrojnë, ka rrezik me rënë ndonjë."
"Nuk ka asnjë mbrojtëse, mund të shembet nga momenti në moment."
Pas reshjeve të dëborës, tragjedi rrezikuan edhe orteqet që bllokuan për rreth 24 orë rrugën e Thethit.
Aksi drejt fshatrave turistikë u hap, po rreziku mbetet.
"Në një moment besoj të afërt ata do marrin masa që ato orteqe që janë të mundshme për tu eleminuar do të japin investimet e duhura."
Energjia elektrike është një tjetër shqetësim për zonat turistike në Alpe ku trashësia e dëborës arrin deri në 3 metra.

